Lajme
Vdes një 26-vjeçar në Suharekë, afër shtëpisë i gjendet një armë AK-47
Demokracia
20:28 | 02 Maj 2022
Ilustrim

Share:

Një 26-vjeçar nga fshati Greikoc i Komunës së Suharekës ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit. 

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, e ka konfirmuar këtë për Demokracia.com.

Gashi tutje ka thënë se vdekja e 26-vjeçarit është cilësuar si e dyshimtë, përderisa ka njoftuar se si pasojë e plagëve të marra, 26-vjeçari nga Greikoci i Suharekës ka ndërruar jetë.

Tutje Gashi ka bërë të ditur se në afërsi të shtëpisë së viktimës është gjetur edhe një armë zjarri e llojit AK-47.

“Pas marrjes së informatës, njësitë e Policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes, në fshatin Greikoc të Suharekës dhe në një objekt përcjellës, 20 deri në 30 metra larg shtëpisë së viktimës, është gjetur një armë AK-47 e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast”, ka thënë Gashi për Demokracia.com.

Sipas Gashit, Policia e Kosovës rreth orës 15:55 ishte informuar nga Spitali Rajonal i Prizrenit se e kanë pranuar një pacient në gjendje të rëndë dhe përkundër përpjekjeve të mjekëve, i njëjti më vonë ka ndërruar jetë.

Në lidhje me këtë vdekje të dyshimtë, tashmë në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante dhe sipas Gashit, janë duke u marrë me rastin për të zbardhur të gjitha detajet që çuan deri te vdekja e 26-vjeçarit.

“Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit dhe rasti është duke u trajtuar si “Vdekje e dyshimtë”. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për procedura të mëtutjeshme në IML”, ka thënë Gashi. /Demokracia.com/

Të ngjashme