Sport
Vdes kontribuesi i madh i hendbollit kosovar, Shani Brahushi
Demokracia
12:25 | 26 Tetor 2021

Share:

Ka vdekur të hënën në moshën 81-vjeçare Shani Brahushi, emri i njohur i hendbollit kosovar dhe atij gjakovar në veçanti.

Brahushi ka kaluar një jetë të tërë në hendboll, ndërsa ka dhënë kontribut në funksione të ndryshme, përcjell Demokracia.com.

Ishte portier i shquar i Vëllaznimit të Gjakovës, ndërsa edhe pas karrierës së suksesshme ka mbetur në sportin tonë. Ishte trajner i Vëllaznimit, Rahovecit e Besës së Pejës.

Ka qenë edhe anëtar i Bordit të Federatës së Hendbollit të Kosovës e po ashtu kryetar i Shoqatës së Trajnerëve të Hendbollit të Kosovës.

I ndjeri e ka themeluar dhe e ka udhëhequr shkollën e hendbollit “Bashkim Idrizi” prej të cilës kanë dalë lojtarë të talentuar.

Varrimi i të ndjerit bëhet të martën nga ora 14:00 në varrezat e qytetit në Gjakovë.

Presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini i ka shprehur ngushëllime familjes së nderuar Brahushi.

“Në emër të gjithë familjes tonë të hendbollit u shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të personalitetit të rëndësishëm sportiv, Shani Brahushi. Kontributi i tij për hendbollin dhe për FHK-në është i çmuar dhe do të kujtohet gjithnjë. Familja Brahushi por edhe të gjithë ne, kemi mbetur pa një person të dashur dhe të afërt”, ka shkruar Saraçini. /Demokracia.com

Të ngjashme