Lajme
Vazhdon “zhdukja” e Martin Berishajt| Ambasadori nuk është i qasshëm për mediat
Demokracia
17:37 | 25 Prill 2022

Share:

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili u bë lajm në mediat rajonale pasi dyshohet se është i përfshirë në një skandal të zbuluar financiar në Slloveni, vazhdon të jetë i pa qasshëm për mediat.

Që nga publikimi i skandalit financiar në Slloveni, ambasadori Martin Berishaj e ka shkruar vetëm një postim të shkurtër dhe menjëherë është zhdukur.

Dilemat e ngritura në publik, si duket ai ka zgjedhur t’i tejkalojë në heshtje dhe pa përgjigje, ndonëse është diplomat i shtetit të Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Demokracia.com edhe sot ka provuar të kontaktojë me ambasadorin Martin Berishaj lidhur me këtë skandal, megjithatë ai nuk u është përgjigjur thirrjeve telefonike.

Ambasadori kosovar po dyshohet se është bërë pjesë e një skeme ku parat që paguheshin nga një kompani serbe, e cila është degë e një kompanie energjetike ballkanike, transferoheshin te një kompani tjetër malazeze MB Consulting, pronar i së cilës ishte vetë ai, në emër të shërbimeve të konsulencës.

Mediat sllovene kanë raportuar se Martin Berishaj i ka bartur para rreth 600 mijë euro nga Mali i Zi për tek politikani slloven, Robert Golob, i cili është edhe fitues i zgjedhjeve atje dhe kryeministër i ardhshëm i Sllovenisë.

Një televizion slloven, Planet TV, kishte raportuar se mbi gjysmë milioni euro në CASH ishin bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e “mushkës financiare” ose të transportuesit të parave e ka kryer ambasadori i Kosovës, Martin Berishaj.

Në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Berishaj nuk e kishte deklaruar fare kompaninë “MB Consulting”, që e ka në Mal të Zi.

As kompania dhe as të ardhurat nga ajo nuk janë përfshirë në formularin e deklarimit të pasurisë në AKK.

“MB Consulting” figuron e regjistruar në Mal të Zi që nga viti 2016, shkruan Demokracia.com.

Ky skandal ka ngjallur reagime të ashpra në vend, megjithatë presidentja e shtetit Vjosa Osmani fillimisht i doli në mbrojtje, por më pas ajo kishte kërkuar nga Ministria e Jashtme që ambasadorit Martin Berishaj t’i kërkohej një raport me shkrim lidhur me raportimin në mediat sllovene, që e implikonin atë në një skandal financiar. /Demokracia.com/ 

Të ngjashme