Lajme
Vazhdon seanca e mbyllur | Specialja e nis gjykimin në mënyrë jo transparente
Demokracia
14:34 | 11 Prill 2023

Share:

Në mënyrë jo transparente ka nisur dhe po vazhdon seanca e parë në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dëshmitarja e mbrojtur e prokurorisë është duke vazhduar dhënien e dëshmisë në seancë të mbyllur për më shumë se katër orë.

Në fillim të seancës dëshmitarja ka bërë të ditur se ka dhënë dy herë dëshmi për Dhomat e Specializuara, intervistimi i saj ishte kryer në Prishtinë.

Gjatë kohës sa seanca kaloi në privat, dëshmitarja i është përgjigjur disa pyetjeve që sipas gjykatës do të mund të ndikonin në zbulimin e identitetit të saj.

Lluka Mishetiq, avokati i ish-kreut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, i ka kërkuar 14 orë kohë që t’i parashtrojë pyetje dëshmitares.

Procesi i gjykimit në Hagë është vlerësuar jo transparent edhe para nisjes së tij.

Fillimi i procesit gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve ishte cilësuar jo transparent, pasi nisja e procesit ishte vonuar për shkak të prokurorisë e cila nuk i kishte ofruar mbrojtjes të gjitha provat shfajësuese.

Kështu kishte thënë avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Kehoe.

Kehoe në një intervistë, para nisje se procesit gjyqësor, kishte thënë se qëllimi i prokurorisë është që ky gjykim të zgjasë më shumë se ai i Millosheviqit.

“Procesi nuk po fillon sepse Prokurori nuk ka qenë i gatshëm ta fillojë atë. Nëse ju kujtohet, në nëntor të vitit 2020, Prokurori pat thënë se është i gatshëm të fillojë gjyqin për gjashtë muaj. Kjo ndodhi para gati dy viteve që kur ai e bëri këtë koment, dhe akoma nuk është i gatshëm. Ata nuk kanë bërë gjithçka që duhet të bëjnë, sipas rregullave, prandaj është vonuar”, kishte thënë Keohe.

Pa transparencë, mangësi në respektimin e të drejtave të të pandehurve, redaktime të tepërta dhe nxjerrje e provave me vonesë, e kishte cilësuar Instituti i Kosovës për Drejtësi procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Në një raport të nxjerrë nga monitorimi i punës së Gjykatës Speciale, IKD theksonte se vazhdimi i hetimeve pas konfirmimit të aktakuzës dhe ngritja e aktakuzave të reja në mes të proceseve gjyqësore, krijon pasiguri për të akuzuarit.

Pas publikimit të këtij raportit, IKD ndër të tjera i kishte rekomanduar Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar që llogaridhënien ndaj qytetarëve të Kosovës ta zbatojnë në përpikëri në praktikë.

“Qasje joserioze prokuroria ka treguar edhe në rastin ndaj Thaçit e të tjerëve, përderisa kjo prokurori kishte pretenduar që do të jetë gati që të fillojë gjykimin në verën e vitit 2021, e njëjta nuk e ka dorëzuar dosjen paraprake deri më 17 dhjetor të vitit 2021. E po ashtu gjatë gjithë kohës në shumicën e rasteve ka kërkuar zgjatje të afateve për nxjerrjen e provave çka tregon jo seriozitet në kryerjen e punës së saj. Ndër akuzat më të mëdha e që është shumë shqetësuese është akuza që mbrojtja e zotit Thaçi i ka bërë prokurorisë sa i përket pretendimit të tyre se organi i ndjekjes ka mbajtur të fshehur prova shfajësuese nga gjykata e mbrojtja, të gjitha këto padyshim se janë shqetësuese s i përket njërit prej parimeve bazë të procedurës penale e që është parimi i barazisë së armëve”, thuhej në reagimin e tyre.

Ndërkohë, në seancën e së martës në Dhomat e Specializuara, Prokuroria kërkoi që të pranohen si prova- materiale shtesë edhe paragrafët 18-21 të seancës përgatitore.

Por, ky propozim u kundërshtua nga mbrojtësi i Selimit, avokati Geoffrey Roberts, i cili tha se është e çuditshme që secili dëshmitar që sjellë material të ri, të pranohen si informata shtesë.

Andaj, duke pasur një kundërshtim të tillë, prokurori Matt Halling kërkoi të kalohet në seancë private për parashtrimin e pyetjeve lidhur me të njëjtat. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme