Ka disa ditë që Kosova është përfshirë nga zjarri në pjesët malore dhe fushore të saj. Ekipi i zjarrfikësve është ai që po përballet drejtpërdrejt me rrezikun jetësor në mënyrë që t’i shuajë këto vatra. Megjithatë, akoma më problematike këtë situatë e bënë mungesa e mjeteve personale dhe ato për terren të zjarrfikësve.
Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka për Demokracia.com tregon numrin e zjarrfikësve dhe rreziqet me të cilat përballen ata çdo ditë të punës e në veçanti ajo e zjarrit të ditëve të fundit.
‘’Pajisjet mbrojtëse janë të vjetruara dhe me shumë vështirësi po përballohet kjo situatë e zjarrit në vend pasi që po punohet edhe me një numër të vogël të stafit. Kosova ka vetëm 788 zjarrfikës me moshë mesatare 48 vjeçare. I kemi vetëm disa pompa dhe shpinore dhe ato pajisje personale që më shumë vështirësi arrijnë në vendin e ngjarjes me 25 litra ujë në shpinë’’, tha Beka për Demokracia.com
Beka për Demokracia.com thotë se ka mungesë të shumë pajisjeve personale.
‘’Sipas ekipeve në terren ka vështirësi dhe prishje gjatë fikjes së zjarreve në fusha dhe male, por problemi bazë është numri i zjarrfikësve që është i vogël dhe i pa përballueshëm për çdo situatë’’, thotë Beka.
Beka ka folur edhe për mos pagesën shtesë ndaj zjarrfikësve, që përballen me situata kritike gjatë punës së tyre.
‘’Zjarrfikësit nuk paguhen shtesë as për ndërrim të natës, as për mobilim apo rrezik, e as për festa. Fatmirësisht nuk kemi pasur të vdekur nga stafi i zjarrfikësve ndërsa lëndime të rënda ka pasur dhe që janë gjymtuar në pjesë të ndryshme të trupit e që nuk janë ndihmuar financiarisht nga institucionet e vendit. Ne jemi anashkaluar edhe në rishikimin e buxhetit dhe tani jemi duke e analizuar gjendjen tutje për të ndërmarrë diçka’’, tha Beka për Demokracia.com
Në mëngjesin e së martës u raportua për katër vatra aktive të zjarrit.
Sipas zëdhënësit të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Nehat Koqinaj këto vatra janë dy në rajonin e Prizrenit, Bjeshkët e Nemuna dhe Janjevë.
“Situata me zjarre në Kosovë, ora 10.00 nga QO AME (Agjencia Menaxhimit Emergjent) është se numri i vatrave të zjarrit ka rënë. Aktualisht janë aktive katër vatra zjarri. Në Suhareke – rajoni i Prizrenit 2 lokacione, Vraniç dhe Bukosh, parku Nacional Bjeshkët e Nemuna, Janjevë – zjarr Fushore dhe Malore”, tha Koqinaj për Demokracia.com.
Ndërsa orë më parë është raportuar për tetë lokacione të cilat janë përfshirë nga zjarri në komunën e Suharekës.
Në disa prej tyre, për shkak të maleve të dendura, nuk ka pasur mundësi që të depërtojnë zjarrfikësit. Theranda ka vetëm 12 zjarrfikës, kështu po konsiderohet e pamundur përballja me këtë situatë. Vatra e fshatit Bukosh dhe Vraniq vazhdojnë të mbeten problem për t’u lokalizuar.
Ndryshe këto zjarre në pyje, përveç masës drunore, rrezikojnë edhe florën dhe faunën e egër./Demokracia.com/