Lajme
Vazhdon lufta e pushtetit kundër grevistëve | Dalin mesazhe të presionit që ushtron drejtori i një shkolle në Llap për ndalje të grevës
Demokracia
18:16 | 16 Shtator 2022

Share:

Në një komunikim online të stafit të shkollës teknike në Podujevë, drejtori u kërkon disa herë mësimdhënësve që të thyejnë grevën e të nisin mësimin.

Komunikimet mes stafit të shkollave lidhur me grevën, po bëhen kryesisht në grupe të përbashkëta në “Viber”. Përmes komunikimit në një grup të tillë, Fatmir Emini, drejtor i shkollës së mesme teknike në Podujevë, u ka kërkuar mësimdhënësve të rinisin mësimin, kundër vullnetit të sindikatave që i përfaqësojnë ata.

Në njërin prej mesazheve, të mërkurën ai njofton për fillimin e mësimit prej datës 15 shtator.

Mesazhet, drejtori Emini i mbyll me “të gjithë e bartin përgjegjësinë për vete”.

Dikush nga stafi i ka kundërshtuar drejtorin, duke thënë se greva e shpallur nga sindikatat vazhdon “deri në plotësimin e kërkesave”.

Gazeta Express shkruan se gjatë kësaj jave ka pasur angazhim të drejtorëve, me urdhër nga komuna, që të shtyjnë përpara thyerjen e grevës.

Expressit i kanë thënë se këto ditë ka nisur një presion që rrjedh nga kryetari Shpejtim Bulliqi, te drejtorët për nisjen e mësimit, përkundër se sindikatat e arsimit nuk kanë arritur marrëveshje

Komunat që i udhëheq Lëvizja Vetëvendosje, përfshirë Podujeva, kanë kundërshtuar mbajtjen e çdo lloj greve që kanë nisur nëpër sektorë publikë prej 25 gushtit.

Kryetari Bulliqi, para një jave, ka thënë se greva duhet të ndalet, pasi sipas tij, Qeveria ka bërë tashmë diçka që i ndihmon edhe mësimdhënësit.

Të ngjashme