Lajme
Vazhdon greva e administratës në Prokurorinë Themelore në Prishtinë
Demokracia
10:42 | 23 Mars 2022

Share:

Stafi administrativ i Prokurorisë Themelore të Prishtinës edhe sot po vazhdon grevën.

Një gjë e tillë u konfirmua nga anëtari i Këshillit Grevist të kësaj prokurorie, Alban Mehmeti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I pyetur se a po vazhdon greva edhe në prokuroritë tjera në Kosovë, ai deklaroi se vetëm edhe stafi administrativ i Prokurorisë Themelore në Pejë janë ende në grevë.

“Peja është tu vazhdu, tjerat e kanë ndërprere, tjerat pothuajse kanë ra në lajthitje prej asaj komunikatës së KGJK-së, në momentin që ka dal ata e kanë kuptu që kanë dal krejt që edhe jena ndal edhe e kanë ndërpre” tha Mehmeti.

Ndryshe, në ditën e 18- të, punonjësit e administratës së Pallatit të Drejtësisë kanë pezulluar grevën.

Këshilli Grevist i Gjykatës Themelore në Prishtinë kishte thënë se arsyeja e pezullimit të grevës ishte ofrimi i një marrëveshje për përmbushjen e kërkesave të tyre.

“Greva në Pallatin e Drejtësisë e filluar me datë 1 mars 2022, pezullohet për një kohë të pa caktuar”, thuhej në pikën e parë të komunikatës nga Shoqata Sindikale e Administratës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, sipas kësaj komunikate thuhej se Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) është zotuar se të gjitha kërkesat e tyre do të adresohen në institucionet relevante.

“Hierarkia e KGJK-së, u zotua se të gjitha kërkesat tona do të adresohen në institucionet relevante të vendit dhe do të kërkohen që të përmbushen që të gjitha”, thuhej ndër të tjera në komunikatë.

Ndryshe, greva e punonjëseve të administratës së gjykatave kishte filluar më 1 mars fillimisht nga Gjykata Themelore në Prishtinë për ta vazhduar më pas edhe gjykatat tjera. Kjo ka bërë që shumë raste gjyqësore të dështojnë të mbahen.

Seancat të cilat janë mbajtur kanë qenë vetëm ato që konsiderohen urgjente e që janë raste e dhunës në familje, rastet me paraburgim dhe ekzekutimet sipas urdhëresave dhe pranimi i parashtresave të ankesave me afat.

Kërkesat e punonjësve të administratave të gjykatave janë koncept-dokumenti për stafin e administratës së gjykatave dhe prokurorive në nivel të vendit në kuadër të shërbyesve civil, ose Ligji për Administratën e Gjykatave dhe Prokurorive, përafrimi i pagave të stafit të administratave të gjykatave dhe prokurorive në raport me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe pagesa e shujtës ditore në vlerë prej tri euro si dhe transporti. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme