Lajme
Vazhdon bojkotimi i punës nga një pjesë e gjyqtarëve serbë në Gjykatën e Mitrovicës
Demokracia
13:21 | 31 Mars 2022

Share:

Bojkotimi i punës nga një numër i gjyqtarëve serb në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ka vazhduar edhe të enjten, pasi të njëjtit nuk janë paraqitur në punë që nga 25 marsi, pas suspendimit të kryetares së kësaj gjykate, Ljiljana Stevanoviq.

Ndërsa një ditë më parë janë paraqitur në punë një numër i gjyqtarëve serb, të cilët, sipas burimeve të “Betimi për Drejtësi” kanë vazhduar me procedimin e rasteve të natyrës urgjente.

Situatë e ngjashme ka mbizotëruar edhe ditën e enjte, ku disa gjyqtarë serbë janë paraqitur në gjykatë për raste urgjente, ndërsa që nga dita e martë kanë vazhduar me punën edhe stafi mbështetës i gjyqtarëve të komunitetit serb.

“Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar me nënkryetarin e kësaj gjykate, Bekim Veliqin, i cili ka bërë të ditur se një numër i gjyqtarëve që nuk po paraqiten në punë kanë marrë pushime vjetore dhe mjekësore, ndërsa dy gjyqtare të këtij komuniteti janë të angazhuara në Gjykatën e Apelit – dega në Mitrovicë.

Po ashtu, edhe gjyqtarja kujdestare për javën e fundit të marsit, gjyqtarja Lidija Vuqoreviq gjatë këtyre ditëve ka kryer obligimet e kujdestarisë, në përgjithësi raste të natyrës urgjente.

Bojkotimi i punës nga ana e gjyqtarëve të komunitetit serb erdhi pasi Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në takimin 24 marsit 2022, ka marrë vendim që ta suspendojë kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq, deri në një vendim të radhës.

Suspendimi i Stevanoviq u bë pas pjesëmarrjes së saj në takim me Aleksandër Vuçiq, president i Serbisë.

Ndryshe, lajmin për inicim të procedurës disiplinore ndaj gjyqtares e kishte konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, Antigona Uka-Lutfiu, zëdhënëse e Gjykatës Supreme.

Të ngjashme