Lajme
Vazhdon aksioni i Policisë për sekuestrimin e kamerave të sigurisë të vendosura nga strukturat ilegale në Shtërpcë
Demokracia
09:49 | 07 Korrik 2022

Share:

Që nga orët e hershme të mëngjesit Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë Themelore të Ferizajt është duke e zhvilluar një aksion në Shtërpcë.

Me urdhër të Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Policia e Kosovës qysh në orët e hershme të mëngjesit është duke bërë konfiskimin e kamerave të sigurisë dhe dokumenteve të ndryshme të strukturave ilegale në qytetin e Shtërpcës.

Ky aksion i Policisë është duke vazhduar edhe më tutje, përderisa në mëngjes, prokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Rasim Maloku ka konfirmuar për Demokracia.com, ka konfirmuar se, ky aksion nuk lidhet direkt me rastin “Brezovica”, por që strukturat paralele kanë menaxhuar me kamerat e sigurisë të cilat kanë monitoruar lëvizjet e qytetarëve dhe institucioneve publike të Republikës së Kosovës dhe më pas këto informacione i janë përcjellë strukturave të sigurisë në Serbi dhe se koordinator i këtyre strukturave ilegale është ish-kryetari i Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq.

Nga Prokuroria Themelore përmes një njoftimi për media kanë bërë të ditur se ende nuk ka asnjë të arrestuar nga ky aksion.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë, pa ndërhyrje:

Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe në zbatim të urdhër kontrollit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, Policia e Kosovës, sot, është duke zhvilluar një aksion në Shtërpcë, përkatësisht, janë duke u bastisur katër (4) lokacione të ndryshme, si dhe është duke u bërë largimi i kamerave të vendosura nga strukturat ilegale.

Lidhur me këtë aksion, persona të arrestuar për momentin ende nuk ka.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, do t’iu mbaj të informuar me kohë për të gjitha zhvillimet e tjera rreth këtij aksioni. /Demokracia.com/

Të ngjashme