Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, nuk e ka deklaruar të gjithë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).
Demokracia.com ka gjetur se Aliu nuk e ka deklaruar biznesin e bashkëshortes së tij, Rediana Rredhi, me emrin “3R MARKETING SH.P.K.”, me kapital prej 1000 euro.
Duke u bazuar në të dhënat e publikuara në ueb faqen zyrtare të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK), vërehet se bashkëshortja e Qemajl Aliut, Rediana Rredhi, më 27.11.2018 ka hapur biznes me aktivitetin biznesor “Call Center” në Shtime.
Lidhur me këtë, Aliu dyshohet se ka kryer veprën penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i dhuratave, i dobisë tjetër material ose i detyrimeve financiare” nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.
Qemajl Aliu në cilësinë e zyrtarit të lartë publik si Kryetar i Komunës së Shtimes, edhe pse ka qenë i detyruar ta bëjë deklarimin e pasurisë, i njëjti nuk i ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara në formularin për deklarimin e pasurisë, duke mos e deklaruar biznesin e regjistruar në emrin e bashkëshortes së tij, Rediana Rredhi.
Krahas kësaj në debatet politike, kryetari i kësaj komune ka deklaruar se ka 1 veturë, ndërsa tani në formularin e deklarimit të pasurisë ka deklaruar dy vetura, përfshirë edhe një tjetër të përbashkët.
Kryetari Aliu ka deklaruar një biznes, ku në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve nuk figuron fare më si aksionar, por vetëm vëllai i tij.
Demokracia.com ka provuar të kontaktoi më të përmes telefonit, por si zakonisht ai nuk është lajmëruar.
Po ashtu, anëtarja e Kuvendit të Komunës, Heroina Selmani nga Lëvizja Vetëvendosje, dyshohet se nuk e ka deklaruar fare pasurinë dhe me këtë ka kryer veprën penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i dhuratave, i dobisë tjetër material ose i detyrimeve financiare” nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Demokracia.com/