Lajme
Vazhdojnë replikat mes AKK-së e Muratit, Ibrahimi: Ministri mos t’i ofendojë komunat dhe mos të bëhet gjykatës
Demokracia
19:10 | 25 Gusht 2023

Share:

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, i është përgjigjur deklaratës së ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili e quajti “veprim të kotë” dërgimin e Ligjit për Tatim në Pronë në Gjykatën Kushtetuese.

Ibrahimi tha se ministri Murati nuk duhet ta merr rolin e gjykatësit dhe të konstatojë nëse një veprim i tillë është i kotë apo jo.

“Ministri Murati nuk e di a po e merr rolin e gjykatësit të Gjykatës Kushtetuese që e konsideron, e cilëson një veprim të kotë apo këtë duhet t’ia lëmë Gjykatës Kushtetuese. Një verdikt të tillë duhet ta nxjerr Gjykata Kushtetuese… Sa i përket ligjit të kaluar të tatimit në pronë, ministri Murati e din, është i vetëdijshëm por në deklaratë nuk po është i sinqertë, sepse vlerësimi i pronës së paluajtshme ka mundur të ndodhë në vitin 2024, ku faturat për tatimin në pronë do të shkonin në vitin 2025.

Mirëpo, pse nuk ka ndodhur kjo, nëse i pyetni disa kryetarë të komunave, ata aludojnë që kjo nuk ka ndodhë për shkak që nëse do të ishin ngritur faturat në vitin 2024, impakti i atyre faturave do të ishte në vitin 2025, kur është edhe vit zgjedhor”, deklaroi ai.

I pari i komunave të Kosovës për KosovaPress tha se pret që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të jetë pro shfuqizimit të këtij ligji.

“Neve si Asociacion i Komunave të Kosovës, besojmë që përgjigja do të jetë pro komunave, sepse bazë kemi, për kontestimin e kushtetutshmërisë së këtij ligji sepse këtu thotë nëse cenohen përgjegjësitë komunale ose zvogëlohen të hyrat e komunës, në këtë rast edhe bazuar në ligjin mbi vetë qeverisje lokale, ku është e kompetencave vetanake por e kemi kartën evropiane mbi vetëqeverisje lokale si akt ndërkombëtar, ku aty kemi të bëjmë me autonominë financiare por edhe me automatizëm, nëse ndodhë një gjë e tillë, edhe zvogëlohen të hyrat vetanake…

Si i thua një kryetari të komunës zvogëlojë buxhetin tënd kur me atë buxhet janë paraparë shumë projekte për investime kapitale. Pse niveli qendror merr vendime në kurriz të komunave, nëse e merr një vendim merre me buxhetin tënd”, u shpreh Ibrahimi.

Ai theksoi se dëmet që mund t’iu shkaktohen komunave me miratimin e këtij ligji mund të shkojnë deri në 30 milionë euro.

“Në këtë rast në mënyrë të drejtpërdrejt është cenuar përgjegjësia apo kompetenca vetanake e komunës, por gjithashtu kjo ka ndikim edhe në zvogëlimin të hyrave komunale, e në bazë të shënimeve të cilat i kemi neve vlerësojmë që dëmi që do t’i shkaktohet buxheteve komunale do të jetë rreth 30 milionë euro. 30 milionë euro për komunat është një shumë jashtëzakonisht e lartë, duke marrë parasysh që vetëm 22.6 për qind vitin e ardhshëm do të ndahet për komuna, kurse 77.4 për qind do të jetë në nivelin qendror…

Në komunat rurale, por edhe në komunat e mesme nëse bëhet një falje e tillë, do të dëmtohen rreth 80 për qind e më shumë ndoshta, mjetet financiare nga të hyrat vetjake nga tatimi në pronë”, deklaroi tutje.

Ai i bëri thirrje nivelit qendror që mos ta polarizojë shoqërinë kosovare.

“Neve i bëjmë thirrje nivelit qendror që mos ta polarizojë shoqërinë kosovare duke shkaktuar probleme ndërinstitucionale, fjalorin të cilin është duke e përdorur….Ai tha që komunat po sillen në mënyrë me hipokrizi duke aluduar se po thonë kështu e po veprojnë ndryshe. Në këtë rast neve kërkojmë që komunat mos të ofendohen, një fjalor i tillë të lihet anash…

Është bërë një rivlerësim i pronave vitin e kaluar me impakt të faturave këtë vit, kurse ligji i cili i referohet ministri Murati, aty thotë që Ministria e Financave nëpërmjet departamentit përkatës për tatimin në pronë kryen vlerësime të përgjithshme një herë në çdo tre vjet ose një herë në çdo pesë vjet, e ka pas mundësinë që në vitin 2022 apo në vitin 2024”, potencoi Ibrahmi.

Ibrahmi tregoi se i kanë pranuar shënimet nga 29 komuna të Republikës së Kosovës, por sipas tij, kjo nuk do të thotë që komunat tjerat nuk kanë dashur t’i dërgojnë ngaqë e kanë pasur kohën e kufizuar, dhe se zyrtarët komunal mund të kenë qenë në pushime.

Të premten është dorëzuar kërkesa për vlerësimin e ligjshmërisë së Ligjit për Tatimin në Pronë, të cilin e kanë bërë drejtori ekzekutiv i Asociacionit, Sazan Ibrahimi dhe kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj.

Të ngjashme