Lajme
Vazhdojnë reduktimet e rrymës, kafenetë po ballafaqohen me probleme të mëdha
Demokracia
17:15 | 21 Gusht 2022

Share:

Nga e dita e hënë, në Kosovë kanë filluar reduktimet me energji elektrike. Si pasojë e kësaj, bizneset po ballafaqohen me problemet që po i shkaktojnë reduktimet, madje disa prej kafeneve në kohën kur nuk kanë energjie elektrike edhe nuk funksionojnë, pasi nuk kanë gjeneratorë.

Ata thonë se mungesa e energjisë elektrike po iu shkakton atyre shumë humbje edhe në produkte. Derisa kërkojnë nga KEDS-i të marrin ndonjë masë, por edhe të japin sa më shumë informacione për qytetarët.

Arber Maliqi, menaxher i njërës nga kafenetë në kryeqytet, ka thënë për KosovaPress se reduktimet po iu shkaktojnë mjaft dëme. Ai po ashtu thotë se për reduktimet informohen vetëm përmes mediave.

“Zakonisht (reduktimet) janë dy deri në katër orë. Normalisht ne jemi informuar mes mediave se do të ketë reduktime edhe në ditët në vazhdim. Gjendja nuk është e mirë. Normalisht që për biznes është dëm, pasi që gjithçka funksionon me rrymë… Nëse nuk marrin ndonjë masë, do të jetë problem për biznese”, tha ai.

Ndërsa Hysni Gashi kërkon nga KEDS-i që reduktimet të vazhdojnë gjatë natës dhe jo në kohën kur janë duke punuar, pasi kjo po u shkakton probleme të mëdha në biznes.

“Kemi shumë probleme. Rryma është gjëja e parë që duhet ta ketë një lokal, te na është shumë problem. Ka probleme me mish, pije, sistem elektronik… DO të ishte mirë që të mos ketë reduktime… Kërkesë për KEDS-in është që reduktimet t’i vazhdojnë gjatë natës dhe gjatë kohës së punës të mos na mundojnë, pasi po e kemi shumë të vështirë të funksionojmë”, tha ai.

Gashi thotë se nuk janë të informuar drejtpërdrejt nga KEDS-i për reduktimet, derisa shton se duhet të ketë më shumë informacione.

Po ashtu sipas tij informacionet në platformën e-Kesco nuk po respektohen, sepse ndodh që të mos ketë rrymë më shumë sesa është paralajmëruar në njoftim, dhe për ta ky është një problem i madh.

“Ne interesohemi vetë në faqet e KEDS-it… Duhet shumë më shumë informacione… Çdo minutë është pengesë shumë e madhe… Mbrëmë më duket kanë qenë reduktimet deri në ora 22:00, dhe është ndal 20:00 deri në 22:30, pastaj është ndal edhe pesë minuta më vonë, kështu që ka shumë probleme… Në faqe të KEDS-it ka qenë…22:10 deri në 22:00”, tha ai.

Ai ka thënë se në kohën kur ka reduktime ndërpritet edhe puna, pasi nuk kanë gjenerator.

“Në kohën kur ka reduktime puna ndërpritet totalisht, pra dy orë ose dy orë e gjysmë nuk funksionojmë, s’kemi gjenerator dhe s’mundemi të kem pasi nuk kemi hapësirë dhe krijojnë zhurmë. Ne gjatë asaj kohe jemi të paralizuar në tërësi”, tha ai.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala në një përgjigje përmes telefonit për KosovaPress, ka thënë se ata i informojnë bizneset për reduktime. Megjithatë ka shtuar se ata mund të informohen edhe përmes platformës e-Kesco.

Ndërkaq, Dhoma e Tregtisë përmes një komunikate ka kërkuar masa emergjente nga Qeveria për t’iu mundësuar bizneseve furnizim me energji elektrike.

Përmes një shkrese, drejtuar kryeministrit Albin Kurti dhe Qeverisë së Kosovës, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka kërkuar që me urgjencë të ndërmerren masa ndaj humbjeve që po u shkaktohen bizneseve, si rrjedhojë e ndërprerjeve të vazhdueshme të energjisë elektrike, e të cilat gjatë kësaj jave janë të theksuara më shumë.

Sipas Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, humbjet të cilat po u shkaktohen bizneseve si rrjedhojë e ndërprerjeve të energjisë elektrike është e pamundur të kompensohen, andaj në emër të bizneseve ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që me urgjencë të ndahet një fond i veçantë për përkrahje të tyre.

Të ngjashme