Gjiganti anglez Manchester United ka anuluar marrëveshjen e sponsorizimit në vlerë prej 40 milionë funtesh me linjën ajrore ruse “Aeroflot”.
Këtë vendim, klubi anglez e ka marrë të premten, një ditë pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.
Të kujtojmë se pak orë më parë UEFA anuloi finalen e Ligës së Kampionëve e paraparë të luhet në Shën Petersburg, derisa anulimin e garave në Rusi e ka bërë edhe Formula 1.
“Në dritën e ngjarjeve në Ukrainë, ne kemi tërhequr të drejtat e sponsorizimit të ‘Aeroflot’. Ne ndajmë shqetësimet e fansave tanë në mbarë botën dhe shprehim ngushëllimet tona për ata që janë prekur”, thuhet në njoftim. Manchester Unitedi kishte një marrëveshje afatgjate tregtare, e cila u arrit për herë të parë me kompaninë ruse në vitin 2013. Marrëveshja e Unitedit me “Aeroflot” u rinovua në vitin 2017 me një vlerë prej 40 milione funtesh dhe do të skadonte në 2023. /Demokracia.com