Lajme
Vazhdojnë dështimet | Çizmet e ushtarëve të shtetit bllokohen në OSHP
Demokracia
12:32 | 07 Nëntor 2023

Share:

Se prokurimi publik është një ndër vrimat më të zeza të institucioneve publike e pasqyron edhe ky rast që ka të bëjë më ushtrinë e shtetit. Të mbathurat për ushtarët e Kosovës po varen nga loja që është duke e bërë prokurimi i Ministrisë së Mbrojtjes, shkruan Demokracia.com.

Ushtarëve të FSK-së kanë nisur t’u shqyhen çizmet. Sikurse policia e Kosovës, shumë prej tyre po i dërgojnë të këpucëtarët. Që mbi një vit, prokurimi ministrisë po mundohet të realizojë një tender për blerjen e tyre, por nuk po mundet. Ka rreth katër muaj që tenderi është bllokuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, ngase Bordi i këtij institucioni nuk po mblidhet të gjykojë rastin që ka ngecur në institucionin e tyre.

Prokurimi i Ministrisë së Mbrojtjes ka hapur ofertë më 1 gusht 2022 “Furnizim më çizme ushtarake për nevojat e FSK-së”. Çmimi i vendosur nga ministria ka qenë 2 milionë euro me validitet prej 36 muaj.

Aty kanë garuar katër subjekte të operaorëve:

1 “Faruk Rada”, “Ozkan  Kundura ve llastik Imalat Sanai ve Ticare Anonim Sikreti”, më çmim 1,476,025.00 euro.

2. “Solid” Shpk më çmim 1,632,000.00 euro.

3. “Runway” shoj, “Genc Taahut Giym Tekstil Insaat San. Ve. Tic. Ltd. Stik Vkn”, më çmim 1,887,000.00 euro.

4. “Sodex Group”, më çmim prej 2,596,750.00 euro.

Në tri herë të ndryshme, prokurimi e ka korrigjuar formularin standard, duke korrigjuar kriteret e vendosura, ngase ka bërë gabime.

Më 27.01.2023, përmes sistemit të prokurimit e-prokurimi.rks-gov.net, AK ka shpërblyer me kontratë grupin e OE Furkan Rada & Ozkan Kundura ve lastik Imalat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi.

Më këtë vendim nuk është pajtuar kompania “Solid”, të cilës pasi i është lejuar qasje në ofertën fituese, ka bërë ankesë duke dëshmuar se fituesi nuk i kishte përmbushur një numër të kërkesave që vetë ministria i kishte përcaktuar.

Ankesa i është hedhur poshtë nga ministria. Por, kompania mës pas i është drejtuar OSHP-së, më të njëjtat pretendime. “Gjykata e tenderëve” e ka pranuar ankesën si të rregullt dhe e ka autorizuar ekspertin e vet për të shoshitur provat, shkruan Demokracia.com.

Eksperti ka gjetur shkeljen nga ana e ministrisë, për çka në raportin e ekspertizës ka rekomanduar që të anulohet vendimi i ministrisë për dhënie të kontratës dhe lënda të rikthehet në rivlerësim.

Çfarë ka gjetur eksperti?

Nga të gjeturat e ekspertit, shihet se Ministri e Mbrojtjes e ka favorizuar hapur një grup kompanish që nuk i kanë plotësuar kërkesat themelore të Ligjit të Prokurimit. Në këtë rast, bëhet fjalë për grupin “Furkan Rada”, “Ozkan Kundura ve lastik Imalat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi”.

Sipas të gjeturave, ministria ka tentuar të blejë çizme për ushtarë jashtë çdo standardi, shkruan Demokracia.com.

Një ndër shkeljet më të mëdha ka të bëjë me atë se ministria në specifikimin teknik ka kërkuar që materiali për gjuhën e çizmes duhet të jetë konform standardit ISO me 3-4 shtresor, ndërsa gjatë kontrollit te mostrës së GOE të rekomanduar për kontratë vërtetohet se produkti i ofruar është me syngjer të thjeshtë, që nuk i posedon kërkesat e AK.

Ndërsa, sipas ekspertit: “Shtresat e materialit sipas specifikimit teknik janë materiale polimere dhe se OE ankues në foton e dërguar si dëshmi ka theksuar se është material sfungjer, gjë të cilën në kërkesën për rishqyrtim AK nuk e ka demantuar për llojin e materialit”.

Një ndër shkeljet tjera të mëdha të evidentuara ka të bëjë me a-testet e produkteve.

“Kërkesa e AK të specifikuara në pyetjet sqaruese te dt. 28.09.2022 lidhur me ATESTET e produkteve nga Laboratorët e Akredituar dhe sipas Standardeve ISO, nuk janë plotësuar fare nga GOE të rekomanduar për kontratë, sepse të njëjtit nuk ka ofruar fare ateste për produktet e ofruar e lëre më nga laboratorët e akredituar”.

Bazuar në Ligjin e Prokurimit, një operator ekonomik mund të paraqesë një tender, një kërkesë për pjesëmarrje apo ndonjë dokument tjetër të kërkuar, apo që lejohet të plotësohet gjatë aktivitetit të prokurimit, në gjuhën shqipe, serbe ose gjuhën angleze.

“Kërkesa e AK e specifikuara në FDT-e Neni 8.2. Kërkesat mbi gjendjen ekonomike dhe financiare, GOE të rekomanduar për kontratë NUK E KA PLOTËSUAR KETË PIKË për arsye se OE përfaqësues i grupit nga Turqia ka dorëzuar vërtetimet e qarkullimit bankar në kundërshtim me Nenin 13 të LPP-së, duke i ofruar në gjuhë jozyrtare sipas këtij ligji dhe AK i ka pranuar si te mirëqena, shto këtu faktin që AK nuk ka dhënë asnjë dëshmi se gjatë rivlerësimit ka angazhuar ndonjë përkthyes ligjor për të verifikuar apo sqaruar këto dokumente, nëse i plotësoj apo jo kërkesat e DT-së. Sipas LPP-së, Neni 13, Përdorimi i gjuhëve në dokumente të prokurimit publik, Paragrafi 4”, ka konstatuar eksperti, përcjell Demokracia.com.

Ministria në DT-e dhe specifikimin teknik ka kërkuar që për çizmet dimërore, shtrojat duhet të jenë të formësuar, ortopedike dhe që nuk djersiten dhe që të mund të zëvendësohen. Gjatë kontrollit të mostrave të ofruara nga GOE i rekomanduar për kontratë është gjetur që shtroja e ofruar është e rrafshët, e hollë, krijon djersë dhe rrëshqitje të këmbës dhe nuk ka fare lidhje me format ortopedike dhe nuk i posedojnë aspak vetitë e kërkuara nga AK.

“Nga faktet e paraqitura nga OE ankues vërehet lehtë që shtrojat e ofruara janë shtresa të rrafshta”, ka konstatuar eksperti.

Tek mundësitë teknike dhe/ose profesionale, prokurimi ministrisë ka kërkuar që “Kërkesa 09 – OE duhet të paraqesë, tek Autoriteti kontraktues të paktën nga një foto për secilin produkt te ofruar, së bashku me një përshkrim të karakteristikave teknike të produkteve të lëshuara nga prodhuesi, duke përfshirë standardet e kërkuara me të cilën është e mundur vlerësimi i specifikave teknike të ofruara, siç kërkohet në specifikimet teknike (Aneksi 1) për të gjitha pjesët që oferton”.

Eksperti ka gjetur se Grupi i kompanive të rekomanduar për kontratë nuk e ka plotësuar këtë pikë, sepse ka ofruar vetëm një foto të produktit të paraqitur si Çizme vere dhe Çizme dimri. “Pra vërehet shumë qartë që është në kundërshtim me kërkesën e AK, shto këtu faktin që dokumenti i ofruar nga GOE të rekomanduar për kontratë nuk ngjason me katalog, por është një përshkrim bazuar në specifikat teknike të AK-së pa dhënë asnjë dëshmi tjetër si atestet etj, thënë ndryshe Copy Paste”.

Ndërkohë, ministria në specifikimet teknike për çizmet verore, ka kërkuar që të jenë nga materialet e Ajrosshme dhe me përmbushje të specifikave GoreTex ose Ekuivalent. Përgjatë kontrollimit të mostrave të ofruara nga GOE të rekomanduar për kontratë, eksperti ka vërtetuar se OE ka ofruar materiale të thjeshta, i cili aspak nuk ka të bëjë me kërkesën e AK, materiali është tekstil i thjeshtë me vrima.

“AK është dashur të kërkoj informata nga OE fitues për llojin e materialit ekuivalent me përshkrimin teknik të tij. Nuk mund të pranohet si përgjigje vetëm Ekuivalent – GoTe Tex pa u verifikuar apo testuar nga një laborator i akredituar. Ky pretendim vlerësohet si pjesërisht i bazuar”.

Ministria në DT-e dhe specifikimin teknik ka kërkuar që gjoni i çizmeve te jetë rezistent ndaj vajrave, naftës etj. Gjatë kontrollit të mostrave të GOE i rekomanduar për kontratë si dhe specifikimit teknik të ofruar nuk përshkruan askund që gjoni i çizmeve te ofruar është sipas kërkesës se AK, po ashtu GOE i rekomanduar për kontratë nuk ka ofruar asnjë certifikatë si dëshmi apo atest nga laboratorët e certifikuar se produktet e ofruar e përmbushin ketë pikë.

Në fund të dy ekspertët, ai shqyrtues Ilir Salihi dhe tjetri teknik Donijeta Sugojeva, kanë rekomanduar që tenderi të kthehet në rivlerësim. Raporti i është dorëzuar bordit më datë 17. 07. 2023. Që nga ajo datë, Bordi akoma nuk ka marrë vendim që të lihet në fuqi vendimi i ministrisë për dhënie të kontratë, ose rekomandimi i ekspertit të tyre për rivlerësim nga fillimi.

Në këtë tender janë kërkuar çizme ushtarake verore – 8500 palë.

Po ashtu, janë kërkuar çizme ushtarake dimërore – 8500 palë. /Demokracia.com/

Të ngjashme