Lajme
Vazhdojnë dënimet në Telekom- Ndërmarrja “fituese” e Kurtit dënohet me afro pesë mijë euro, ia cënoi të drejtat punëtorit
Demokracia
16:32 | 15 Nëntor 2023

Share:

Telekomi i Kosovës në krye me Burbuqe Hanën ka vazhduar me avazin e njëjtë, duke mos i respektuar rekomandimet e Inspektoratit të Punës dhe dispozitat e Ligjit të Punës karshi procesit të punësimit. Kësaj radhe, Inspektorati e ka dënuar me 4500 euro ndërmarrjen publike për cënim të të drejtave të Nysret Jashanicës në proces të punësimit.

Gazeta Insajderi e ka siguruar vendimin e Inspektoratit të Punës të dënimit në total prej 4500 eurosh, pas mos-zbatimit të rekomandimeve për cënim të Ligjit të Punës në rastin e Jashanicës.

Mosmbajtja e testit me shkrim dhe neglizhimi i afatit kohor i komisionit të ankesave në procesin e punësimin ka çuar në dënimin prej 4500 eurove.

“Inspektori i Punës, po ashtu, ka konstatuar se, në njoftimin për intervistë shihet qartë kandidati është ftuar për intervistë me gojë pa u kaluar faza e testimit me shkrim. Në emaili dërguar nga Departamaneti i Burimeve Njerëzore dhe Administratës theksohet se, citoj: “…keni qenë të suksesshëm në fazën e listës së ngushtë të procesit të përzgjedhjes për pozi Menaxher Menaxhimi i Produktevel, komfor nenit 23 të Rregullores për Marrdhënie Punës nr.01-2978/22 dt.27.06.2022 e ndryshuar dhe e plotësuar me Rregulloren nr.01-297a dt.23.03.2023, ftoheni që të merrni pjesë në intervistë”, thuhet në arsyetimin e vendimit të Inspektoratit.

Në tetor të këtij viti po ashtu u dënua për dy raste me nga tre mijë euro për cënim të të drejtave të punëtorëve.

Ankuesi Isuf Mehmeti, njëri nga kandidatët për menaxher në pozitën e Burimeve Njerëzore, e ka fituar rastin ndaj Telekomit të Kosovës, për çka ndërmarrjen publike Inspektorati i Punës e ka dënuar me tre mijë euro.

Insajderi po ashtu raportoi se Telekomi ishte dënuar edhe me tre mijë euro të tjera për shkak të degradimit pa asnjë procedurë nga pozita e zëvendës-drejtoreshës së Marketingut ankuesen Merita Krasniqin.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në janar të 2022-ës deklaronte se gjatë atij viti synimi i Qeverisë të Kosovës ishte që Telekomi të jetë lider në tregun rajonal, të kthehet në kompani përfituese, kontribuuese dhe jo shpenzuese e buxhetit të Kosovës.

“Ne jemi të interesuar që Telekomin e Kosovës –Vala ta bëjmë lider në Kosovë ashtu siç ka qenë më herët. Dhe për këtë arsye i kemi dhënë mbështetje financiare vitin që lamë pas. Në vitin 2022 jemi të interesuar ta nxjerrim përfundimisht Telekomin nga kriza”, tha Kurti.

Megjithatë, përveç që nuk po kthehet në kompani fituese, Qeveria është obliguar t’ua ndajë 20 milionë euro hua Telekomit për investime kapitale.

Nga përgjigjet që ka marrë Insajderi prej Telekomit, është marrë vesh se këto investime janë destinuar në ndërrimin e platformës qëndrore e rrjetit mobil dhe ndërrimin e 120 stacioneve në mënyrë që të ofrohet shërbimi 4G për përdoruesit e Valës.

“Me këtë kredi synohet që të: Ndërrohet komplet platforma qendrore e rrjetit mobil (investimi është në proces dhe përfundimi pritet në Mars 2024), janë ndërruar 120 stacione baze të cilat mundësojnë mbulueshmëri të plotë me teknologji më të fundit 4G+, në të gjitha zonat me rrethinë, të banueshme e të pabanueshme, të Shtimes, Ferizajt, Shtërpcës, Kaçanikut, Hani i Elezit, Vitisë, Gjilanit, Dardanës, Artanës, e deri në Prapashticë të Gollakut, si dhe deri afër Prishtinës në Gërmi e afër Liqenit të Badovcit, dhe vazhdon deri afër Lipjanit (Investimi është përfunduar dhe pajisjet janë në funksion. Ka mbetur të bëhet vetëm pagesa për një pjesë të investimeve”, bëri të ditur Ushtruesi i detyrës së drejtorit për Marrëdhënie me Publikun i Telekomit, Fadil Lepaja.

Mediumi po ashtu në vazhdimësi ka raportuar për skandalet në Telekomin e Kosovës. Është raportuar edhe për avancimin e vëllait të Burbuqe Hanës, Burim Hanës, në pozitën e menaxherit në Departamentin “Analiza, Strategjia e Marketingut dhe Planifikimit”, avancimin e Violeta Namanit, mikeshë e Burim Hanës, në pozitën e Menaxherit të Departamentit për Shitje dhe Kujdes me Konsumator Individual etj.

Të ngjashme