Vatra, vatranët dhe shqiptaro-amerikanët nuk do ta harrojnë kurrë Çamërinë dhe do ta ndërkombëtarizojnë në të gjitha institucionet amerikane çështjen çame. Kohët e fundit, realizova një vizitë emocionale dhe shumë impresionuese në disa nga viset shqiptare të Çamërisë në Greqi. Kjo vizitë ishte planifikuar me qëllim që të vizitoj këto troje kombëtare dhe të njihem nga afër me situatën e bashkombasve tanë atje, si pjesë e orientimit nacional të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”. Këto vise, dikur të banuara nga shqiptarë, mbajnë një histori tragjike të njohur për të gjithë, andaj kjo vizitë shënon hapin e parë drejt zbardhjes së të vërtetës dhe ngritjes së zërit për të drejtat themelore të njerëzve tanë atje.
Si kryetar i VATRËS për pesë vite, kam vizituar çdo trevë shqiptare, përfshirë edhe ato që tani janë shumicë shqiptare. Kjo është një detyrë shpirtërore dhe zyrtare, por vizita në Çamëri dhe trojet tjera shqiptare ka një rëndësi të veçantë. Kjo vizitë shërben si një ndërgjegje kombëtare për të kërkuar të drejtat e bashkëkombasve tanë, përfshirë të drejtën e pronës dhe vetëdeklarimin e lirë për përkatësinë e tyre kombëtare. Jam i vendosur që këtë çështje ta ngre në nivelet më të larta të institucioneve amerikane.
Ky hap nuk është vetëm një vullnet personal si kryetar i Vatrës, por është një strategji dhe orientim i tërë lidershipit të Federatës “VATRA”. Nga ky moment dhe në muajt që pasojnë, nuk do të ndalemi për të kërkuar drejtësi për bashkëkombasit tanë, të cilët janë një ndër pjesët më të dhimbshme të etnikumit shqiptar. Do të angazhohemi me përfaqësuesit më të shquar të komunitetit tonë për të ngritur këtë çështje në Kongresin Amerikan dhe për të qenë një zë i fuqishëm për realizimin e të drejtave themelore të popullit çam.
Greqia është një vend fqinj dhe mik i shqiptarëve, dhe ne nuk kemi pretendime ndaj integritetit të shtetit grek apo popullit mik helenas. Megjithatë, ne nuk do të ndalemi së punuari për të zbardhur të vërtetën e historisë tragjike dhe genocidit që përjetuan shqiptarët në Çamëri. Drejtësia duhet të vendoset, dhe bashkëkombasve tanë duhet t’u kthehet dinjiteti, e drejta në pronë dhe vetëdeklarimi i lirë si shqiptarë, ashtu siç e përcaktojnë të drejtat ndërkombëtare dhe Karta e OKB-së për të drejtat e njeriut dhe pakicave kombëtare.
Vatra bën thirrje ndaj shtetit shqiptar dhe atij grek që të zbardhin krimet, genocidin dhe masakrat mbi shqiptarët e Çamërisë. Vatra gjithmonë do të kërkojë drejtësi për Çamërinë, dhe çështja çame do të mbetet ndër prioritetet kryesore të veprimtarisë së saj. Si një çështje politike, ajo kërkon që Greqia të tërhiqet nga akuzat antiligjore kolektive ndaj një populli të tërë shqiptar. Vatra i kujton shtetit grek se ka detyrimin të krijojë kushtet për rikthimin dhe realizimin e të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë.
Vatra do të punojë intensivisht që çështja çame të ndërkombëtarizohet dhe të trajtohet si një problem ndërkombëtar, duke përfshirë faktorët perëndimorë për garantimin e zbardhjes së të vërtetës historike të shqiptarëve të Çamërisë.