Lajme
Varfëria në ekstrem, kosovarët mbyllin vitin me afro 6 miliardë euro kredi
Demokracia
20:26 | 27 Dhjetor 2024

Share:

Kreditë në nëntor të vitit 2024 kanë arritur shumën prej 5.668 miliarda euro, duke shënuar një rritje prej 768.9 milionë euro ose 15.7% krahasuar me dhjetorin e vitit 2023.

Qytetarët e Kosovës çdo vit e më shumë po varfërohen. Si shkak i mungesës së parave, “shpëtimin” po e shohin te bankat, duke marrë kredi çdo ditë e më shumë.

Rritja e borxheve ndaj bankave gjatë këtij viti ka shënuar rekord, ku ka arritur në afro 6 miliardë euro.

Banka Qendrore e Kosovës në raportin e fundit të publikuar ka treguar se kosovarët këtë vit kanë marrë 768.9 milionë euro më shumë kredi se sa vitin 2023, shkruan Demokracia.com.

“Gjithsej, kreditë në nëntor 2024 kanë arritur shumën prej 5.668 miliarda euro, duke shënuar një rritje prej 768.9 milionë euro ose 15.7% krahasuar me dhjetorin e vitit 2023. Ndërsa, depozitat vazhdojnë të jenë burimi kryesor i financimit të kredive”.

BQK ka treguar se edhe rritja ekonomike nuk do të jetë aq e lartë siç po pretendon qeveria aktuale.

“Ne presim që viti 2024 të mbyllet me një rritje prej 4.3%. Nivelin e rritjes 4.2 deri në 4.4% e parashohim të ndodhë më 2025-26. Aktiviteti ekonomik deri në shtator 2024 është rritur me 4.6%”.

E sfidë tjetër e madhe e qytetarëve gjatë ketij viti ishin edhe çmimet e larta, të cilët u shtrenjtuan për cdo ditë.

Gjendja mbetet e ndjetë edhe tani kur jemi në fund të vitit 2024, pasi që çmimet e produkteve ushqimore vazhdojnë të jenë të larta.

Buka në vitin 2021 ka kushtuar 35 centë, ndërsa në këtë vit 52 centë. Qumështi 88 centë e tash 1 euro e 21 centë, orizi 1 euro e 41 centë në vitin 2021 e 1 euro e 68 centë këtë vit.

Sheqeri figuron se nga 70 centë sa ka qenë në vitin 2021, tash kushton 1 euro e 25 centë, çmimi i miellit të grurit nga 52 centë në 79 dhe çmimi i druve nga 39 euro e 31 centë në 60 euro e 71 centë këtë vit.

Agjencia e Statistikave në raportin e publikuar tash së fundmi ka treguar se indeksi i tërësishëm i çmimeve të konsumit ishte më i lartë në një mesatare prej 0,7% në muajin nëntor 2024, krahasuar me muajin nëntor 2023.

Në këtë raport, ASK ka dhënë shifra të sakta të disa produkteve që janë shtrenjtuar.

“Kafja, çaji dhe kakao (11,8%), shërbimet financiare (9,1%), vajrat dhe yndyrnat (6,9%), biletat e fluturimeve (6,7%), uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet (6,2%), pijet alkoolike (5,3%), mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (4,5%), qumështi, djathi dhe vezët (4,2%), duhani (2,9%),  mishi (2,9%), veshje (2,8%), kujdesi personal (2,6%), buka dhe drithërat (1,8%), energjia elektrike”.

Po ashtu edhe kostoja e ndërtimit në Kosovë u rrit për 0.9% gjatë këtij viti.

Sipas ASK-së indeksi i tërësishëm i Kostos së Ndërtimit në Kosovë (IKN) pati rritje për 0.9% në TM3 2024, krahasuar me TM2 2024.

Ndërkaq, krahasuar TM3 2024 me të njëjtën periudhë të vitit paraprak TM3 2023, Indeksi i Kostos së Ndërtimit pati rritje për 4.5%.

Muese Indeksi i tërësishëm i Kostos të Ndërtimit në Kosovë (IKN) pati rritje  për (0.9%) në tremujorin e tretë (TM-3) 2024  krahasuar me tremujorin e dytë (TM-2) 2024.

Rritje kishte te energjia  (20.1%), pagat (1.3%), materialet (0.7%), makineritë (0.4%) dhe kostot tjera (0.2%).

“Rritje më të madhe kishte te energjia  (26.6%), pagat (17.4%), transporti  (8.3%), materialet (2.0%), kostot tjera (1.3%), dhe makineritë (1.2%)”.

Kosova importon gati të gjitha produktet nga vendet e rajonit, të BE-së dhe më larg.

Mesatarisht në vit, ajo importon mallra në vlerë prej 5 miliardë eurosh – duke filluar nga produktet bazë deri tek ato ndërtimore – ndërsa eksporton nën vlerën e 1 miliard eurove – më së shumti produkte të metalit dhe plastikës.

Të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se qytetarët e vendit, pjesën më të madhe të buxhetit familjar e ndajnë për blerjen e artikujve ushqimorë.

Në fund të tetorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori vendim për rritjen e pagave në sektorin publik – për 55 euro nga janari i vitit të ardhshëm dhe për 55 euro të tjera nga korriku.

Paga mesatare në Kosovë është rreth 520 euro.

Paraprakisht, në fund të gushtit, Qeveria e Kurtit vendosi edhe për rritjen e pagës minimale në 350 euro. Me vite, ajo ishte 130-170 euro. /Demokracia.com/

Të ngjashme