Arte
Valter Lucaj, regjisori i serialit ‘Rrushe’: ‘Prioritet e kemi pasur të punojmë me dashuri dhe të sjellim ndryshime’
Demokracia
17:29 | 03 Shtator 2021

Share:

Seriali “Rrushe” për një kohë të shkurtër arriti të marrë vëmendje të madhe dhe të bëhet një prej të preferuarve të publikut.

Përderisa shumica e serialeve që prodhohen në Kosovë i përkasin zhanrit komedi, si një mënyrë e sigurtë për të pushtuar audiencë, ekipi i produksionit të Gjirafa Video bashkoi forcat me një ekip profesional dhe vendosi të sjell një serial i zhanrit krim, dramë, prej të parëve në vendin tonë.

Me një histori të zhvilluar paralelisht në dy kohë, në të 90’ta dhe në kohën aktuale, “Rrushe” sjell tregimin dhe peripecitë e familjes Pirulli dhe kryepersonazhit Vesa apo Rrushe sikur e quajnë e përdhelje.

Vesa dhe familja e saj duken një familje e zakonshme prishtinase, mirëpo jeta e tyre ndryshon përgjithmonë si pasojë e një vrasje misterioze, e cila përpos dhimbjes dhe konfuzitetit që krijon, nxjerr në pah një të kaluar brutale. Për Vesën kjo vdekje do të thotë që gjithçka që ajo ka njohur si të vërtetë do të shfaqet me një tjetër fytyrë, e me një tjetër histori, të cilën ajo as që kishte mundur të imagjinonte ndonjëherë.

I cilësuar nga shikuesit si një prej prodhimeve më të mira prej serialeve kosovare, “Rrushe” dëshmon se puna, përkushtimi e dashuria gjithmonë janë çelësi i suksesit, cilado qofshin preferencat e publikut.

Për Demokracia.com, regjisori i saj Valter Lucaj, na tregon më shumë për procesin e krijimit dhe realizimit të këtij seriali.

Demokracia.com: Si ka nisur ideja për realizimin e serialit “Rrushe”?

Valter Lucaj: Së pari ju falemnderit për intervistën, e vlëresoj. Para një viti pavarësisht rrethanave në të cilat ndodheshim për shkak të pandemisë, me GjirafaStudios e kemi pasur një nder objektivat kryesore që të krijojmë një serial dramë dhe të këtyre përmasave. Sigurisht që kemi hasur në shumë vështiresi që në fillim pasi që primare e kishim shëndetin mirëpo që nga takimet e para që kemi mbajtur me skenaristin Jeton Kulinxha ku diskutonim për ide, për koncept, ne e kemi pasur një dashuri te papërshkrueshme për këtë projekt dhe është  po kjo dashuri që na mban ende. Pastaj nëse i rikthehemi nisjes dhe rrugëtimit të kompanisë Gjirafa, e sheh që gjithmonë ka sjellur risi në treg në fusha te ndryshme andaj edhe me produksion dhe platformën GjirafaVideo ishte i njejti qëllim.

Demokracia.com: Cilat kanë qenë disa prej objektivave që i keni vënë vetes në procesin e krijimit të serialit?

Valter Lucaj: Si fillim i kemi pasur disa objektiva dhe nënobjektiva dhe sigurisht që rrugës kemi vendosur edhe të reja. Prioritet e kemi pasur që t’a tejkalojmë veten me të gjitha prodhimet qe i kemi pasur deri me tani si produksion si dhe të sjellim ndryshim në treg. Për ne është shumë i  rëndësishëm ekipi, bashkepunëtorët dhe partnerët tanë, andaj e kemi pasur për qëllim që secili të ndjehet i përmbushur dhe krenar me këtë krijimtari dhe sigurisht kur arrihet kjo, ndikon në produktivitet dhe kualitet të serialit. Qëllim tjetër ka qenë që të bëhet një serial ku përfshihen të gjitha gjeneratat e aktorëve dhe të ofrojmë të gjitha kushtet që të dhurojnë më të miren e tyre dhe ashtu ka ndodhur. Jemi me fat që jemi duke punuar dhe krijuar me një kastë të tillë të aktoreve. Dhe mbi të gjitha kryesore është që publikut shqipfolës të ju dhurojmë një serial që prek të gjitha temat aktuale që na rrethojnë dhe të mundohemi që mesazhet që përcillen përmes serialit së paku të kenë ndikim ne reflektimin e shikuesve, e pse jo edhe në ndryshim.

Demokracia.com: Ndoshta përpos cilësisë, komenti më i shpeshtë që e këmi ndërgju për këtë serial, është që ka qenë më ndryshe se çdo serial tjetër i prodhuar në Kosovë. Çka mendoni që e bën ‘ndryshe’?

Valter Lucaj: Mesazhe te tilla po pranojmë gjatë gjithë kohës dhe sinqerisht, këto mesazhe janë shtytje për të vazhduar kështu e të mos ndalemi duke tentuar të bëjmë më të mirën e mundshme.

Demokracia.com: Çfarë e bën ndryshe këtë serial nga projektet tjera që keni prodhuar me GjirafaStudios?

Valter Lucaj: Të gjithë ne që jemi pjesë e ekipit pajtohemi që me të vërtetë ky projekt na ka sfiduar më shumë se çdo projekt tjetër, na ka rritur dhe zhvilluar më shumë. Edhe koha që ia kemi kushtuar prej më shumë se një viti,  po flas në përgjithësi si Gjirafa dhe jo vetëm si GjirafaStudios, ka qenë më e gjatë se zakonisht dhe poashtu përgjegjësia shumë më e madhe, menaxhimi i ekipit, përkushtimi i aktorëve dhe ekipit, e  konsistenca poashtu.

Demokracia.com: A ka qenë vështirësi menagjimi i një ekipi aq të madh?

Valter Lucaj: Po filloj duke treguar që në këtë projekt janë të përfshirë mbi 150 persona të profileve të ndryshme, që as si fjali nuk tingëllon e lehtë.  Po kemi veshtiresi, jo vetëm me menaxhim të ekipit por me menaxhimin e të gjitha punëve dhe sigurisht që është vështirësi edhe më e madhe rrugëtimi i këtij projekti pasi që është hera e parë që po bëhet. Por sikur e thash në fillim po e bëjmë me shumë dashuri, entuziazëm dhe motiv.

Demokracia.com: Sa episode do të jenë gjithsej edhe a do të vazhdoj për më shumë se një sezonë?

Valter Lucaj: Sezoni i parë do i ketë gjithsej 20 episoda, të cilët shfaqen çdo të diel në ora 21:00 online në gjirafaVideo.com Si ngjarje përmbyllet për 20 episoda por kemi lënë një vegëz për sezonin e dytë për të cilin ne kemi shumë dëshirë dhe vullnet t’ia dhurojmë publikut por prap se prap varemi nga shumë faktorë./Demokracia.com

Të ngjashme
Intervista • 24 Prill 2024