Lajme
Valdete Daka u jep “shkollë” Osmanit e Radoniqit: Pa ligj s’mund të bëni rregullore për referendum
Demokracia
21:16 | 18 Korrik 2023

Share:

Qeveria e Albin Kurtit është zotuar në Bratisllavë se do të organizojë zgjedhje të reja në katër komunat veriore të Kosovës: Zveçan, Leposaviq, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok.

Por, organizimi i tyre duket se do t’i vendos në vështirësi institucionet e Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Për t’u organizuar zgjedhje të reja duhet që të largohen katër kryetarët shqiptarë, që kanë dalë nga zgjedhjet e prillit.

Ideja që një kryetari mund t’i përfundojë mandati nga qytetarët, ashtu siç parashihet në nenin 72, është përmendur kohëve të fundit në rastin e kryetarëve të katër komunave të veriut të Kosovës, që do t’i hapte rrugë zgjedhjeve të reja atje.

Megjithatë, paraprakisht duhet të hartohet një rregullore për referendum, e cila nuk mund të bëhet pa një Ligj për Referendumin të miratuar në Kuvendin e Kosovës dhe jo siç kanë pretenduar presidenja Vjosa Osmani dhe kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Ka qenë vetë presidentja Vjosa Osmani që në takimin me kancelarin Scholz dhe presidentin Macron, e kishte përmendur Nenin 72 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale si një rrugë që mund të shpie në zgjedhje të reja në këto komuna.

“…dhe unë i informova se korniza jonë ligjore e lejon këtë mundësi dhe ne jemi të gatshëm ta konsiderojmë atë në përputhje me ligjin e Kosovës për zgjedhjet. Kjo do të thotë se qytetarët serbë, rreth 20% e tyre që janë në listat zgjedhore, mund të nënshkruajnë një peticion dhe përmes kësaj, ata mund të inicojnë procesin e zgjedhjeve të reja dhe ne jemi të gatshëm të zbatojmë ligjin…”, kishte njoftuar ajo pas takimit në fillim të muajit qershor.

Këtë ide e kishte mbështetur edhe kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Madje në një mbledhje të KQZ-së, u bë e ditur se Sekretariati i KQZ-së është në procesin e draftimit të rregullores për referendume.

Anëtarët e KQZ-së theksuan faktin se një rregullore e tillë nuk mund të hartohet nga KQZ-ja derisa Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar Ligjin për Referendume.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, sqaroi se emërtimi i tillë është i gabuar, por qëllimi është tjetër.

Sipas tij, gjatë procesit të harmonizimit të rregulloreve të reja zgjedhore duhet të hartohet edhe një rregullore zgjedhore për përgjegjësitë e KQZ-së që dalin nga Ligji për Vetëqeverisje Lokale.

Radoniqi citoi nenin 72 të këtij ligji, ku flitet për mënyrën sesi qytetarët mund ta largojnë kryetarin e një komune dhe se ajo duhet të paraqitet në institucionin që administron votimin, në këtë rast në KQZ.

Sipas tij, KQZ-së i duhet një rregullore për këtë çështje dhe tani është koha e duhur, meqenëse do të trajtohen edhe rregulloret për çështje të tjera, për t’u harmonizuar me ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme.

“Krejt po pajtohemi që emrin nuk e ka të duhur, për pjesën tjetër do të diskutojmë. Do ta diskutojmë atë pjesë tutje, pra emrin duhet që ta ndërrojmë”, tha Radoniqi.

E ish-kryetarja  e KQZ-së, Valdete Daka, në një prononcim për Demokracia.com u ka dhënë leksione presidentes Vjosa Osmani dhe kryetarit Radoniqi.

“Ne si shtet nuk kemi ligj për referendum. Domethënë nuk ka ligj. KQZ-ja nuk mund të bëjë asgjë, as ta iniciojë vetë. Pra, nuk është ligjvënëse. Për ta bërë një ligj të ri, mund ta bëjë Presidenca, Qeveria – është e paraparë në Kushtetutë kush mund ta bëjë iniciativa ligjdhënëse. Ndërkaq, KQZ-ja nuk mund vetvetiu kurrfarë iniciative me ndërmarrë. KQZ është institucion që organizon zgjedhje, kujdeset për mbarëvajtjen e tyre dhe kaq. Meqenëse nuk ka bazë ligjore, KQZ-ja nuk mund të përpilojë asgjë. Rregullorja duhet të mbështetet në një ligj. Nëse tenton KQZ-ja të bëjë rregullore, nuk ka bazë ligjore. Nuk mund të bësh rregullore pa e pasë ligjin për referendumin”, ka thënë Daka për Demokracia.com.

Hartimi i një rregulloreje të tillë për referendume, pa një ligj për referendumin të miratuar në Kuvendin e Kosovës, është kundërshtuar nga anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Alban Krasniqi, i cili ka lënë të kuptohet se kjo ide mund të ketë ardhur nga ndonjë ambasador.

“Qëndrimi i tyre për një çështje të caktuara nuk e kemi të rregulluar me ligj, edhe unë kështu e konsideroj, kushdo që ka mundur ta ketë një kërkesë mendoj që kërkesën duhet që ta drejtojë të Kuvendi i Kosovës edhe Kuvendi duhet që të nxjerrë edhe ligjin për referendumin, por që rregullon edhe çështje të tilla. Por, ne nuk e kemi me bazë ligjore aktuale, unë nuk e shohë që mundemi me organizu mbarëvajtjen e çfarëdo procesi të tillë pa u rregulluar me një bazë ligjore paraprakisht. Ndoshta ata idhëtaret e zgjidhjeve të shpejta i kuptoj që dëshirojnë kështu, por nuk besoj që janë prej institucioneve tona, por ndodh te edhe kemi prezent këtu se i kam dëgjuar të cilët kërkojnë që në emër të zgjidhjeve të shpejta me na nëpërkëmbë edhe Kushtetutën, këtë që e kemi që edhe kjo është e nëpërkëmbur edhe atë. Mendoj që nuk jemi servis i çfarëdo diplomati që na vije këtu edhe na kallxon se si të sillemi e çka të hamë në mëngjes, e çka në drekë e çka në darkë”, ka thënë ai.

“Jemi në mes të Evropës dhe lutemi që të na lejoni që të sillemi si të tillë, mos na detyroni me ju thënë hapur që ju rrini të pozitat e juaja, ne rrimë të pozitat e tona dhe përgjegjësit tona Kushtetuese. Lexoni mirë edhe ato para se të bëni ndoshta presion në institucionin tonë se si me vepruar në baza ditore dhe çështje të caktuara. Nuk mund që ai proces të rregullohet pa një ligj, nëse ka presion si çdo herë ka presion është çështje tjetër, përndryshe nuk mund të rregullohet kjo pa ekzistencën e një ligji bazë tjetër ligjore, sepse kjo rregullon vetëm peticioni si të tillë. Por jo procesin e dytë që vjen”, tha Krasniqi. /Demokracia.com/

Të ngjashme