Lajme
Vaksinohet 85-vjeçari në Prishtinë: Ndjehem shumë mirë, merreni të gjithë vaksinën
Demokracia
14:12 | 08 Prill 2021

Share:

Faik Berisha 85-vjeçar mëngjesin e së enjtes, mori dozën e parë të vaksinës AstraZeneca në Sallën “1 Tetori”. Berisha ishte në mesin e dhjetëra personave mbi moshën 85-vjeçare që tashmë kanë nisur të vaksinohen me anti-COVID.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë gjatë ditës së sotme (e enjte) ka filluar vaksinimi kundër COVID-19, në Sallën “1 Tetori” dhe Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) të komunave: Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj, Gjilan, Mitrovicë dhe Vushtrri dhe në komunat ku ka filluar vaksinimi kundër COVID-19.

85-vjeçari Faik Berisha tregoi për Demokacia.com se ndjehet i lumtur që ka marrë vaksinën anti-COVID.

“Jam shumë i lumtur që u vaksinova. Ju bëjë thirrje të gjithëve të marrin vaksinën, se ata të cilët e kanë qit [vaksinën], kanë ditë diçka, nuk janë budalla. Për vit të ri i kam bo 85 vjet”, tregoi Berisha.

Berisha më tej tregoi se dozën e dytë të vaksinës do të marrë më 17 qershor 2021. 85-vjeçari bëri thirrje po ashtu që të respektojnë edhe masat dhe të mbajnë maskën.

“Prej kur ka fillu pandemia jam mundu me i respektu masat, nuk e kam heq maskën asnjëherë edhe pse kam dal e nuk jam ndal kurrë”, tregoi Berisha për Demokracia.com.

Nga ana tjetër koordinatori i Qendrës së Vaksinimit në sallën “1 Tetori”, Niman Bardhi tha se që nga mëngjesi i ditës së sotme ka filluar vaksinimi i personave mbi moshën 85 vjeç.

Bardhi njoftoi se personat e këtyre moshave do të kontaktohen në telefon, varësisht nga të dhënat që kanë dërguar në faqen e aplikimit për vaksinim.

“Nga sot dhe dy ditët tjera në vijim për tre ditë radhazi ne do vaksinojmë grup moshën mbi 85 vjeç, do thotë 8, 9 dhe 10. Ndërsa, nga data 11, 12, 13 pastaj vazhdohet me grupmoshën 80-84. Gatishmëria jonë për të punuar për nga numri e dini nga 750 deri në 1 mijë persona jemi në gjendje gatishmërie t’i vaksinojmë varet nga momenti se sa do të na vijnë të moshuarit për t’u vaksinuar” , tha Bardhi.

Personi i parë i cili e mori dozën e parë të AstraZeneca në Qendrën e Vaksinimit në Sallën “1 Tetori”, në Prishtinë ishte ish-minatori, 89 vjeç, Maliq Sejdiu.

Kujtojmë se sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, personat mbi 85 vjeç do të vazhdojnë të vaksinohen edhe me 9 dhe 10 prill 2021, në të gjitha QKMF-të e komunave të tjera, ndërsa peronat 80 deri në 84 vjeç do të fillojnë vaksinimin më 11, 12 dhe 13 prill 2021, në sallën “1 Tetori” (Prishtinë) dhe të gjitha QKMF-të në Kosovë./Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 24 Qershor 2024