Lajme
Vaksinohen mbi 3 mijë persona deri më tani në Kosovë
Demokracia
14:34 | 12 Prill 2021

Share:

Kosova ka filluar javë më parë procesin e vaksinimit kundër COVID-19 dhe deri më tani sipas të dhënave janë vaksinuar mbi 3 mijë persona.

Deri më tani, janë vaksinuar vetëm personeli shëndetësor, të moshuarit mbi 85 vjeç dhe nga dje (11.04) ka filluar edhe vaksinimi i personave 80-84 vjeç.

Menaxheri i qendrës së vaksinimit në sallën “1 Tetori”, Bardh Nimani tha se deri në mesditë janë vaksinuar 88 persona, kurse gjithsej janë vaksinuar mbi 830 të moshuar.

“Fluksi i grup moshave mbi 80 vjeç është duke vijuar me vaksinimin. Aktualisht deri në këto qaste që po flasim kemi 88 të vaksinuar dhe numri total ka shkuar mbi 830. Presim që edhe sot pasdite dhe nesër që të kemi prapë këtë grup,  që të kemi sa më shumë dhe të na ec mbarë e mirë deri më tani”, tha Bardhi.

Ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se që nga fillimi i vaksinimit janë vaksinuar mbi 2 mijë e 500 punonjës të institucioneve shëndetësore.

“Që nga fillimi i vaksinimit, në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë dhe në shtatë komunat ku është i organizuar Kujdesi Dytësor Shëndetësor, janë vaksinuar mbi 2 mijë e 500 punonjës të institucioneve shëndetësore.  Ditët në vijim, vaksinimi shtrihet në mesin e punonjësve shëndetësor në Kujdesin Parësor Shëndetësor dhe më pas, edhe tek moshat e shtyra, sipas Planit Shtetëror të Vaksinimit kundër COVID-19”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Vlen të theksohet se kundër COVID-19 janë vaksinuar edhe personeli shëndetësor i Policisë së Kosovës dhe i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK).

Kujtojmë se Agjencia Shtetërore e Informacionit (ASHI) në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka ofruar në kuadër të platformës ekosova, linku:  https://ekosova.rks-gov.net/, shërbimin “shëndetësia” përmes të cilit qytetarët mund të aplikojnë për regjistrim për të marrë vaksinën kundër COVID-19.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë tre ditëve të para në këtë platformë janë regjistruar 3 mijë e 256 qytetarë për vaksinim kundër COVID-19.

“Gjatë tre ditëve të para të aplikimit përmes platformës ekosova.rks-gov.net janë regjistruar 3 mijë e 256 qytetarë për vaksinim kundër COVID-19, prej të cilëve 316 persona mbi 80 vjeç; 1 mijë e 435 të moshës 61-80 vjeç, kurse pjesa tjetër janë të moshës nën 60 vjeçe”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Theksojmë se vaksinimi i personave mbi 85-vjeç, ka filluar më 8 prill, fillimisht në Prishtinë dhe në komunat Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj, Gjilan, Mitrovicë dhe Vushtrri, si dhe në të gjitha komunat e tjera ku ka filluar vaksinimi kundër COVID-19. Ndërsa me 30 mars ka filluar procesi i vaksinimit të personelit shëndetësor.

Më 28 mars, Kosova ka pranuar kontingjentin e parë të vaksinave kundër COVID-19. Ky kontingjent i vaksinave AstraZeneca, është mundësuar nga organizata UNICEF, nëpërmjet programit COVAX.

Kosova ka pranuar 24 mijë doza të vaksinës nga 100 mijë e 800 sa do të i marrë gjithsej nga programi COVAX./Demokracia.com/

Të ngjashme