OpEd
Vaksina ruse për sovranitetin evropian të shëndetit
Demokracia
19:08 | 06 Prill 2021

Share:

Shkruan: Joanna Hosa

Në kushtet e mungesës relative të vaksinave, për shkak të problemeve me prodhimin, gjithnjë e më shumë vende të BE-së po i drejtohen vaksinës ruse, Sputnik V. Hungaria ishte blerësja e parë, dhe tani i është bashkuar edhe Sllovakia. Disa vende të tjera, përfshirë Gjermaninë dhe Italinë, po planifikojnë që ta prodhojnë atë në territorin e tyre.

Në një botë ideale, asgjë nga këto nuk do të përbënte ndonjë problem. Motoja kryesore sot është:Virusi është një kërcënim global, që kërkon zgjidhje globale. Por realiteti është se vaksinat janë shndërruar në mjete politike, dhe autoritetet ruse e politizuan enkas dhe që në fillim vaksinën Sputnik V.

Vetëemri i saj u vendos për t’i kujtuar botës lavdinë e dikurshme sovjetike në garën hapësinore. Dhe nxitimi për ta importuar dhe madje prodhuar Sputnik në BE, mund të minojë në fakt shkallën në të cilën evropianët do ta pranojnë marrjen e kësaj vaksine.

Ndërsa Bashkimi Evropian, luan tani një rol qendror në politikën shëndetësore, ajo që do të bëjë më tej, mund të rezultojë jetike si për vaksinimin e evropianëve, ashtu edhe për sigurimin e besimit në atë proces.

Politika shëndetësore nuk është zyrtarisht pjesë e kompetencave të BE-së. Dhe kjo është një nga arsyet pse unioni ishte shumë i ngadaltë në reagimin e tij në fillim të pandemisë. Por, duke u gjendur përballë një krizë shëndetësore të paparë, Bashkimi Evropian mori një rol më të madh në mbështetje të një axhende globale të shëndetit.

Shumë shpejt u shfaqën dallime të jashtëzakonshme midis sistemeve shëndetësore kombëtare të vendeve anëtare, bashkë me pikëpamjet ndonjëherë të kundërta midis tyre mbi nevojën e evropianizimit të politikës shëndetësore.

Në fund, Komisioni Evropian mori në dorë situatën duke u përpjekur të koordinonte veprimet -por edhe politikat – kur bëhej fjalë për zhvendosjen e pacientëve, solidaritetin në rajonet ndërkufitare, apo shkëmbimin e pajisjeve të pakta mjekësore.

Në nivelin e BE-së, shëndeti është tani një element thelbësor i sigurisë evropiane, krahas sektorëve të mbrojtjes ose të infrastrukturës kritike. Por ai është një fushë në të cilën BE-së i mungonte autonomia strategjike.

Dhe për ta marrë atë, Brukseli veproi në disa nivele:ndërtoi strategji të përbashkëta, diversifikoi zinxhirët e furnizimit, forcoi mbrojtjen e investimeve në kompanitë inovative, investoi në kërkimin dhe zhvillimin shkencor, dhe koordinoi përpjekjet në forumet shumëpalëshe.

Pra, BE synoi të kufizonte varësinë e saj nga vendet e treta, sidomos nga ato që gjithnjë e më shumë i konsideronte si rivalë gjeopolitikë. Duke vepruar në këtë frymë, Komisioni Evropian mori drejtimin e procesit të blerjes së përbashkët të vaksinave.

Pas 1 viti pandemi shpërndarja e vaksinave është shumë më e ngadaltë se sa pritej, dhe vendet anëtare janë sërish të prirura ta kritikojnë Brukselin për dështimin në këtë proces jetik për rikthimin e shpejtë drejt normalitetit. Ato kanë filluar që të ndjekin strategjitë e tyre individuale, duke e minuar qasjen e përbashkët të BE-së.

Gushtin e vitit të kaluar Rusia ishte vendi i parë në botë që shpalli zhvillimin e një vaksine antiCovid për përdorim të brendshëm. Propaganda e Kremlinit ishte e shfrenuar, edhe pse programi aktual i vaksinimit filloi vetëm në dhjetor 2020.

Shpallja e vaksinës që përpara se të mbaronin testet klinike, ndërsa të dhënat ishin ende të dyshimta -e kombinuar kjo me një fushatë agresive të PR, dhe mesazhet e përziera se cilën kategori mund të ndihmojë kjo vaksinë – duket se e kanë dëmtuar besimin tek vaksina ruse. Sondazhet e fundit nga organizata ruse “Levada Center”, tregojnë se vetëm rreth 2 për qind e rusëve janë në parim kundër vaksinave, dhe 62 për qind e tyre të refuzojnë ta marrin vaksinën vendase.

Kjo shifër është rritur në mënyrë të vazhdueshme, pavarësisht nga të dhënat e fundit që tregojnë se vaksina është shumë efektive, dhe pavarësisht miratimit të saj nga shkencëtarët ndërkombëtarë. Dhe ndonëse ka kontroll mbi prodhimin dhe eksportimin e vaksinës, Rusia ka shpërndarë deri tani 5.28 vaksina për 100 banorë, krahasuar me 109.66 në Izrael, 38.39 në Britani dhe mesatarisht 11.41 në BE.

Për më tepër u zbulua se Vladimir Putin u vaksinua vetëm më 23 mars 2021, dhe nuk është bërë e ditur nëse ai mori vaksinën Sputnik apo jo. Ndërkohë, Rusia është përpjekur në mënyrë aktive që t’ia shesë vaksinën e saj sa më shumë vendeve, duke e mohuar gjatë gjithë kohës se po synon që të fitojë ndikim politik, dhe duke akuzuar të tjerët për politizimin e çështjes.

Ndërsa BE po pret që Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) të shqyrtojë sigurinë e Sputnik, presidenti i Komisionit Evropian ka thënë se pret nga Rusia të shpjegojë pse nuk po vaksinon në masë qytetarët e saj.

Pavarësisht nga debatet me vonesat e prodhuesve perëndimorë, Hungaria dhe Sllovakia, kanë autorizuar tani përdorimin e vaksinës ruse. Këto vendime janë të diskutueshme, pasi Sputnik nuk ka siguruar ende miratimin nga EMA. Për me tepër, marrëveshjet individuale përtej skemës së BE-së e dëmtojnë solidaritetin evropian.

Ndërkohë, ekzistojnë shqetësime se si Rusia mund ta përdorë vaksinën e saj, për ta minuar më tej këtë solidaritet, ndërsa BE-ja po vazhdon të debatojë mbi një politikë të përbashkët mbi Rusinë. Ukraina ka bërë të qartë se e sheh Sputnik si një mjet politik, dhe madje një kërcënim të sigurisë kombëtare.

Ndërsa vaksinimi i njerëzve është një garë me kohën, shumë më rëndësi është besimi i publikut tek vaksinat. Dhe siç po shihet me vaksinën e AstraZeneca ky besim është i brishtë.

Blerja e vaksinave ruse, për hir të pasjes së vaksinave në dispozicion, nuk do të ndihmojë domosdoshmërisht programet e vaksinimit në BE.

Në të ardhmen, BE-ja duhet të investojë për të krijuar më shumë lehtësira dhe zinxhirë prodhues me synimin prodhimin e këtyre vaksinave brenda unionit. Covid-19 ka të ngjarë të qëndrojë gjatë me ne, dhe shkencëtarët po paralajmërojnë se kjo nuk do të jetë pandemia e fundit.

Vaksinat janë shpresa dhe zgjidhja më e mirë për kriza të tilla, dhe fabrikat e vaksinave do t’i përkasin infrastrukturës jetike. Rifreskimi i një pjese të industrisë së prodhimit farmaceutik në BE, është një nga mjetet në dispozicion. Ai duhet të vendosë se në cilat vende apo rajone mund të zhvendosen zinxhirët e furnizimit, të cilët mund të funksiononin shumë mirë në periferinë evropiane si Ballkani apo Afrikën e Veriut.

Përmirësimi i autonomisë shëndetësore të BE-së, do të jetë një eksperiment i vazhdueshëm, por që vlen të kryhet. Alternativa është qasja “secili për vete”, e parë në fillim të pandemisë, e cila nuk shpëtoi askënd. / “European Council on Foreign Relations”

Të ngjashme
OpEd • 18 Prill 2024