Lajme
Vajza e zv/kryeministres Emilia Rexhepi punësohet në RTK
Demokracia
22:02 | 08 Korrik 2022

Share:

Sabina Rexhepi, vajza e zëvendëskryeministres Emilia Rexhepi është punësuar në televizionin publik me kontratë të rregullt.

Para punësimit me kontratë të rregullt, vajza e zv.kryeministres ka punuar me kontratë mbi vepër për rreth shtatë vjet në kanalin e gjuhës serbe RTK 2.

Këtë e ka konfirmuar për Kallxo.com vet Emilia Rexhepi, e cila në Qeverinë e Kosovës është zëvëndëskryeministre e tretë për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut.

“Po, është punësuar me konkurs”, deklaroi ajo përmes telefonit.

Zëvendëskryeministrja Rexhepi tha se punësimi i vajzës së saj ka ndodhur me procedura të rregullta. Ajo tregoi se Sabina Rexhepi ka punuar për rreth shtatë vjet me kontratë mbi vepër në televizionin publik.

“Ajo ka punuar në RTK2 rreth 7 vjet, me kontratë mbi vepër dhe kur e kanë larguar prej punës, i kanë larguar edhe boshnjakët edhe turqit. Në atë kohë është hap një konkurs në RTK1 për gjuhën boshnjake dhe ajo ka konkurruar dhe ka fituar më shumë poena edhe çfarë është problemi?”, deklaroi Rexhepi.

Televizioni Publik i Kosovës nga 31 marsi i këtij viti vendosi që mos t’ua vazhdojë kontratat e punës për 180 punonjës që ishin të angazhuar me kontrata mbi vepër.

E pyetur nëse vet zëvendëskryeministrja Rexhepi ka ndikuar për t’iu punësuar vajza në RTK, ajo e mohoi një gjë të tillë. Ajo tha se vajza e saj e ka merituar sepse ka qenë studente e mirë dhe ka pasur përvojë të punës.

“Jo bre çfarë, ajo është një studente e mirë me krejt notat e mira, ajo e ka merituar sepse 7 vjet ka punuar në gjuhën serbe në RTK2”, deklaroi Emilia Rexhepi

Për punësimin e vajzës së zv.kryeministrës Emilia Rexhepi kishte folur edhe drejtori i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhkaj, gjatë raportimit në Komisionin Parlametar më 21 qershor të këtij viti. Ai mohoi të ketë pasur ndikime politike.

“Nuk kemi të bëjmë me automatizëm që dikush që ka qenë e ka vazhduar kontratën e rregullt. Po flasim për procese rekrutuese të rregullta dhe nëse ti performon mirë në intervistë mirë, me shkrim, mirë edhe me gojë, është e paarsyeshme që mos ta fitosh një vend pune vetëm pse ke një lidhje të caktuar me dikë”, tha ai para kuvendarëve.

“Në këtë rast, nuk kemi të bëjmë me ndikim politik, kemi të bëjmë me një rast të komuniteteve dhe në garë kanë qenë vetëm katër persona, po flasim për një numër të vogël të konkurrentëve”, tha ai.

LEXONI EDHE:

SKANDALOZE| Gërvalla e shndërron ministrinë në “çerdhe” familjare, vajza e mitur e saj kreu praktikë në MPJD me ligje gjermane

 

 

 

Të ngjashme