Auto&Tech
V.I.P-të dhe gjinia femërore, kategoria më e rrezikuar nga sulmet kibernetike
Demokracia
22:01 | 10 Shkurt 2021

Share:

Dita e Internetit të Sigurt organizohet çdo vit në muajin shkurt, për të nxitur përdorimin e përgjegjshëm dhe të sigurt të internetit dhe teknologjisë nga fëmijët dhe të rinjtë. Kjo ditë shënohet në javën e dytë të muajit shkurt çdo vit, shkruan Demokracia.com.

Rreziqet më të shpeshta nga siguria e të dhënave personale janë ato nga përdorimi i rrjeteve sociale dhe lojërave shpërblyese.

Mentor Hoxhaj, udhëheqës i CSP (Cybersecurity and Privacy), thotë për Demokracia.com se lojërat shpërblyese janë ndër format mashtruese, ku ‘viktima’ tërhiqet në mashtrim, në rrjetin e komunikimit Whatsapp.

 

Lojërat shpërblyese janë një ndër format mashtruese ku “viktima” tërhiqet në mashtrim (hackim), ku fituesi ndan kodin, duke menduar se është kodi fitues, duke dhënë me këtë rast qasje në aplikacionin Whatsapp”.

Hoxhaj po ashtu thotë se përdorimi i rrjeteve të sigurta është jo i kënaqshëm te ne në Kosovë dhe shton se “përdoruesit mund të kenë rritje në nivelin e sigurisë nëse përdorin ‘2FA’ apo Two-factor authentication”.

Vërtetimi me dy faktorë ‘2FA’ është një metodë për vendosjen e hyrjes në një llogari në internet ose në një sistem kompjuterik që kërkon që përdoruesi të sigurojë dy lloje të ndryshme informacioni.

“Të dhënat personale janë mjaftë të ekspozuara dhe njëkohësisht të rrezikuara për t’u keqpërdorur. Përdoruesit e rrjeteve sociale, përdorin nivele jo të kënaqshme të masave te sigurisë, duke ndarë shume të dhëna personale me nje audiencë të panjohur, në mesin e të cilëve ka keqpërdorues potencial. Përdoruesit e rrjetit social Facebook, nga Kosova, kanë mundësi të kenë nivel më të lartë të sigurisë, nëse shfrytëzojnë “2FA”. Gjersa këtë nuk mund ta bëjnë në rrjetet tjera sociale pa shfrytëzuar aplikacion të veçantë. Njohuri dhe qasje e një numri të vogël të përdoruesve. Kjo do të thotë se në rrjetet tjera sociale përdoruesit nga Kosova iu ekspozohen më shumë rrezikut të hakimit”, shton Hoxhaj.

 

Kategoria më e rrezikuar nga rreziku kibernetik janë V.I.P-të dhe gjinia femërore, mirëpo është konstatuar si fenomen në rritje shantazhimi i burrave, kryesisht të martuar. Përmes këtyre rreziqeve, sulmuesit i përdorin (për të marrë informata personale) dhe për shantazhe kundër personave të sulmuar, deklaron udhëheqsësi i CSP-së.

“Personat më të ekspozuar ndaj rrezikut janë V.I.P dhe gjinia femërore. Ajo çka kemi konstatuar si fenomen në rritje janë meshkujt (kryesisht të martuar) të cilët iu janë ekspozuar asaj që njihet si ‘SEXTORTION’, ku meshkujt tërhiqen ne biseda intime, biseda këto të regjistruara, e të cilat më pastaj shërbejnë për shantazhe, ku viktima kërcënohet për të paguar një shumë të të hollave, në këmbim që video (biseda) mos të publikohet”, thotë Hoxhaj.

Hoxhaj thotë se rrjetet sociale nuk janë vendet më të sigurta ku mund të ruhen videot, fotot dhe bisedat, pasi që ato mund të përfundojnë në publik.

“Të bëhet sigurimi i llogarisë me fjalëkalim më të ndërlikuar dhe të bëhet sigurimi me ‘2FA’. Duhet pasur kujdes të veçantë në klikime në linqet dhe faqet e panjohura. Llogaritë janë më së shumti të rrezikuara kur, për të hyrë/shikuar apo regjistruar, iu kërkohet të ‘regjistroheni’ me llogarië e tyre në Facebook. Kjo është forma më e shpeshtë e ‘Phishing’, praktikë mashtruese e dërgimit të postës elektronike që pretendon të jetë nga kompani me reputacion në mënyrë që të nxisë individët të zbulojnë informacione personale, të tilla si fjalëkalimet dhe numrat e kartave të kreditit. Rrjetet sociale nuk janë vendi i duhur për të ruajtur foto/video/biseda intime çdo rast kur bisedoni, postoni apo ruani diçka në rrjetet sociale duhet të keni në mendje se këto mund të përfundojnë në publik”, përfundon Hoxhaj./Demokracia

Të ngjashme