Lajme
“Uzurpohet” arsimi i Shtimes| Aktivistët politikë bëhen drejtorë nëpër shkolla
Demokracia
17:38 | 28 Prill 2022

Share:

Gjatë fushatës për Kryetar të Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ishte zotuar për “depolitizim në fushën e arsimit” dhe kjo ishte kryefjala e tij në secilin debat televiziv zgjedhor.

“Depolitizimi në arsim” ishte kryefjala e Qemajl Aliut edhe në programin e tij qeverisës në Komunën e Shtimes, raporton Demokracia.com.

Zotimi i Qemajl Aliut për depolitizim të arsimit në një debat televiziv.

Por, ky premtim e zotim, për Aliun duket se ishte vetëm fushatë politike.

Demokracia.com ka mësuar se arsimi në Komunën e Shtimes nuk është duke u “çliruar”, por duke kapur nga pushteti komunal i udhëhequr nga kryetari Aliu.

Në këtë fotografi shihet Drejtori i Arsimit në Komunën e Shtimes, Lulzim Sahiti, i cili deri në ditën e fundit ishte në shërbim të ish-kryetarit të Shtimes, Naim Ismajlit, i cili ishte kandidat edhe për një mandat në zgjedhjet e fundit komunale.

Por, tani Lulzim Sahiti është bërë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ka filluar zëvendësimet e drejtorëve të shkollave në Komunën e Shtimes.

Siç mëson Demokracia.com, Sahiti ka bërë zëvendësimin e drejtorit të shkollës në fshatin Pjetërshticë dhe ka emëruar ushtrues të detyrës së drejtorit ish-kandidatin për deputet nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Lutfi Gashin. Gashi aktualisht po e mban pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit në SHFMU “Idriz Ajeti” në Pjetërshticë.

“Me çlirimtarët” ishte slogani i Nismës Socialdemokrate gjatë zgjedhjeve, ku kandidat ishte edhe vetë Gashi, por që tashmë “çlirimtari” i Shtimes, Qemajl Aliu, e favorizoi në këtë pozitë për hesape politike.

Demokracia.com ka mësuar se situata të njëjta ka edhe në shkollat e tjera.

Në shkollën fillore të mesme të ulët “Skënderbeu” në Reçak tashmë është emëruar drejtori i ri. Bëhet fjalë për ish-drejtorin e kësaj shkolle, Skënder Bajrami, i cili nga kjo pozitë kishte dhënë dorëheqje në vitin 2017.

Sipas fotografive që ka siguruar Demokracia.com, Bajrami si aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, më 8 nëntor të vitit 2021, shihet që ka marrë pjesë në fushatën zgjedhore të Qemajl Aliut dhe Glauk Konjufcës.

Qemajl Aliut duket se tani po i intereson sa më shumë politizimi dhe sistemimi i njerëzve në arsim, varësisht nga kalkulimet e tij politike, duke shpërfillur kështu tërësisht premtimin për “depolitizimin e arsimit”.

Demokracia.com ka dy ditë që është duke bërë përpjekje që të kontaktojë me Lulzim Sahitin, për të kuptuar më shumë rreth këtyre emërimeve dhe kur pritet të hapen konkurset e rregullta për këto shkolla, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur, pasi ai më nuk e ka hapur telefonin.

Fillimisht, Sahiti kishte premtuar të flasë, duke kërkuar që të shkojmë në zyrën e tij.

Më pas është kontaktuar sërish nga Demokracia.com për të lënë takim në zyre dhe për të zhvilluar intervistën, por i njëjti i kishte rënë pishman duke preferuar që t’i dërgohen pyetjet me shkrim.

Ka dy ditë që Demokracia.com i ka dërguar pyetje Sahitit, por i njëjti më nuk është përgjigjur. /Demokracia.com/

Të ngjashme