Lajme
Ushtria në Shqipëri merr nën kontroll kullën e operimeve të Aeroportin e “Rinasit”
Demokracia
20:11 | 07 Prill 2021

Share:

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri, Belinda Balluku, bëri me dije se të gjithë punonjësit e “Albcontrol” që po qëndrojnë brenda kullës së kontrollit, por ndërkohë nuk janë duke ushtruar detyrën e tyre, do të nxirren nga vendi i punës, pasi sipas saj kanë braktisur detyrën.

Ministrja, gjatë një konference për media të para pak minutash, tha se punonjësit, që sipas saj kanë marrë peng hapësirën ajrore shqiptare, paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, ndaj ndërtesa e kullës së kontrollit do të merret në mbrojtje nga forcat e armatosura të ushtrisë.

“Nga ky moment, për sigurinë e Republikës së Shqipërisë për shkak të gjitha angazhimeve që kemi tek partnerët tanë, dhe duke qenë se fatkeqësisht kontrollorët tanë që kanë nënshkruar kontrata dhe kanë marrë përgjegjësi për të qenë mbrojtës të hapësirës shqiptare, kanë vendosur të mos bëjnë detyrën, dhe as të mos ofrojnë shërbim. Kështu, një ndërtesë e sigurisë së lartë s’mund të qëndrojë në duar të personave që nuk janë pjesë e trafikut ajror. Të gjithë këta persona që nuk operojnë, do të largohen nga ndërtesa duke nisur nga ky moment. Këta persona mund të kryejnë aksione shumë të rrezikshme për hapësirën shqiptare, ndaj ndërtesa e ‘Albcontrol’ do të merret në mbrojtje nga Forcat e Armatosura”, tha ministrja shqiptare.

Ajo tha se sot në mbrëmje ka qenë i planifikuar të arrijë një aeroplan me vaksina anti-COVID.

Ministrja Balluku e cilësoi të pajustifikueshme kërkesën e punonjësve të “Albcontrol” për rikthimin e pagave të mëparshme teksa edhe pagat e tyre aktuale siç tha, janë shumë herë më të larta se paga mesatare e shumë familjeve shqiptare. Ajo u shpreh se një pjesë e tyre janë të kapur nga politika.

 

 

Të ngjashme
Lajme • 25 Prill 2024