Lajme
Ushtari ukrainas në Soledar përshkruan situatën e rëndë: Jemi të braktisur
Demokracia
23:26 | 12 Janar 2023

Share:

Një ushtar ukrainas në qytetin e kontestuar lindor të Soledar përshkroi një situatë të rëndë për CNN të enjten në mbrëmje, duke thënë se ata janë të braktisur.

“Ne u përpoqëm të tërhiqemi, por rusët janë tashmë atje. Nëse nuk ka urdhër për t’u tërhequr sot, me shumë mundësi nuk do të kemi kohë të largohemi”, tha ai për CNN përmes telefonit.

“Na u tha se do të tërhiqemi. Dhe tani thjesht jemi të braktisur”, tha ai.

Ai tha se ushtarëve u kishte mbaruar ushqimi, uji dhe se kishin ushtarë të plagosur. Ai tha se kishin ende pak municion.

“Evakuimi i fundit ishte tre ditë më parë. Urdhëri ishte që të mbahej deri në fund. Duke gjykuar nga tingujt e betejës, fqinjët tanë [njësitë e tjera] ose u tërhoqën ose u urdhëruan të tërhiqeshin. Na thanë të durojmë”, tregoi ushtari.

“Ne mbajmë për aq kohë sa të mundemi. Por çdokush mund të lodhet dhe të arrijë kufirin përfundimisht. Është e pamundur të mbash vetëm një moral të lartë për kaq gjatë”, shtoi ai.

Brigada e 46-të Ajrore e Ukrainës pohoi të enjten se ishte duke kryer kundërsulme në qytet.

“Pas disa ditësh tërheqjeje, ne kemi bërë edhe një përparim të vogël. Stacioni hekurudhor është i yni. Miniera është e jona. Ne presim mbështetje. Soledar është Ukraina”, tha njësia në Telegram.

Të ngjashme