Lajme
Ushtaret e UÇK-së, model për ushtaret e sotme të FSK-së (VIDEO)
Demokracia
13:32 | 25 Nëntor 2023

Share:

Vjosa Maloku Ramadani, nënkolonele në Forcën e Sigurisë së Kosovës, ka thënë se pakkush ka besuar se ajo do të mbërrijë kaq lart në FSK.

Madje, sipas saj, kanë pritur që ajo të dorëzohet qysh në fillet e jetës së saj në ushtrinë e Kosovës. Kjo për faktin e vetëm se ajo ishte grua dhe një grua e ka gati të pamundur të arrijë sukses në Forcën e Sigurisë, pasi profesioni i ushtarit është parë tradicionalisht si i dominuar nga meshkujt.

“Disa prej tyre kanë pritur që unë shpejt do të dorëzohem sepse ajo ka qenë një sfidë e madhe në fillim, kur kemi hyrë ne, dhe shumica prej tyre kanë menduar që kjo e provon dhe do të dorëzohet, për shkak të disiplinës së madhe, duke e konsideruar profesion burrash dhe jo grash”, tha ajo në intervistë me Naile Dema Selmani, në emisionin “Prijmë”, që transmetohet në Klan Kosova.

Maloku Ramadani tha se motivin për t’iu bashkuar forcave të sigurisë e mori nga gra tjera që kishin shërbyer më herët edhe në ushtrinë më të famshme të Kosovës – UÇK.

“Historia e dëshmon të kundërtën, gratë nuk kanë marrë pjesë vetëm në TMK ose FSK. Gratë kanë marrë pjesë edhe në UÇK. Janë ato të cilat ia kanë dalë. Edhe unë gjithmonë e kam gjet motivimin te ato të cilat e kanë hap rrugën për ne dhe besoj që për ne ka qenë shumë ma lehtë”, shtoi ajo.

Nënkolonelja Maloku Ramadan tha se FSK synon ta rrisë numrin e grave në ushtri e po ashtu edhe transformimin e vazhdueshëm të perceptimeve brenda Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Emisioni “Prijmë” është një projekt i përbashkët i Klan Kosova dhe NDI.

Të ngjashme