Lajme
Urdhëri i Erdogan: Mediat “të mbrojnë vlerat turke”, ndryshe gjobitje ose mbyllje
Demokracia
22:09 | 29 Janar 2022

Share:

Presidenti i Turqisë ka urdhëruar që të ndërmerren hapa kundër përmbajtjeve mediatike si programet televizive që konsiderohen në kundërshtim me “vlerat themelore” të Turqisë.

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan tha në Gazetën Zyrtare të shtunën se vendimi synon të eliminojë efektet e dëmshme të programeve televizive me përmbajtje të huaj që janë përshtatur në Turqi.

Të gjitha masat paraprake do të merren kundër prodhimeve që ndikojnë negativisht në familje, fëmijë dhe të rinjtë, nëpërmjet ligjeve dhe kushtetutës turke, thuhej në gazetë.

Fëmijët dhe të rinjtë do të mbrohen nga “mesazhet e përcjella përmes simboleve të caktuara”, thuhet në vendim pa elaboruar më tej.

Mbikëqyrësi i medias i Turqisë, Këshilli i Lartë i Radios dhe Televizionit ose RTÜK, tashmë ka kompetenca të gjera dhe mund të gjobisë mediat ose të urdhërojë ndërprerje të përkohshme të kanaleve televizive për shkelje të vlerave turke.

RTÜK është akuzuar se e bën këtë kundër mediave që janë më kritike ndaj qeverisë.

Ajo gjithashtu ka gjobitur kanalet për përmbajtje erotike ose LGBT+.

İlhan Taşcı, një anëtar i RTÜK-së i emëruar nga opozita, e quajti lëvizjen “qarkullore të censurës” dhe tha se ajo shkel kushtetutën që premton të mbrojë lirinë e shtypit.

Shumica e kompanive mediatike në Turqi janë tashmë në pronësi të bizneseve të afërta me qeverinë konservatore dhe nacionaliste dhe ndjekin nga afër linjat e qeverisë.

‘Reporterët pa Kufij’ e rendit Turqinë në 153 nga 180 vende në Indeksin e saj Botëror të Lirisë së Shtypit të vitit 2021. Të paktën 34 punonjës të medias janë aktualisht pas hekurave, sipas Unionit të Gazetarëve të Turqisë.

Javën e kaluar një gazetare u arrestua  për fyerje të Erdoganit pasi përmendi një fjalë të urtë në televizionin Tele 1 dhe mediat sociale.

Mijëra njerëz në Turqi janë ndjekur penalisht pasi akuzohen se kanë fyer Erdoganin.

Të ngjashme