Lajme
UP-së i ndalohet përpunimi i të dhënave biometrike
Demokracia
11:53 | 27 Maj 2022

Share:

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), pasi ka zhvilluar inspektim lidhur me mbikëqyrjen e ligjshmërisë së përpunimit të të dhënave biometrike në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe ka konstatuar se UP ka instaluar pajisje e cila përpunon të dhënat biometrike, tiparet e fytyrës, me qëllim të identifikimit gjatë regjistrimit të hyrjes dhe daljes së punëtorëve gjatë orarit të punës.

Me këtë rast, AIP ka nxjerrë vendim me të cilin ka ndaluar përpunimin e të dhënave biometrike, si dhe ka obliguar fshirjen dhe shkatërrimin e tyre, shkruan Demokracia.com.

“Ligji Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka përcaktuar se përpunimi i të dhënave biometrike për qëllim të identifikimit të një personi fizik në mënyrë unike, parimisht është i ndaluar. Prandaj, ky përpunim mund të bëhet vetëm nëse domosdoshmërisht kërkohet për sigurinë e njerëzve, pronës, mbrojtjen e të dhënave konfidenciale, dhe sekreteve të bizneseve, nëse kjo nuk mund të arrihet me mjete më të lehta dhe duhet të jetë proporcional me qëllimin e vendosjes”, thuhet në vendimin e AIP.

“Përveç përcaktimit të të dhënave personale, LMDHP ka përcaktuar edhe cilat të dhëna konsiderohen si të dhëna biometrike, që sipas nenit 3, paragrafi 1, nën paragrafi 20, të dhënat biometrike janë të gjitha të dhënat personale që rezultojnë nga përpunimi specifik që kanë të bëjnë me karakteristikat fizike, psikologjike ose të sjelljes së një personi fizik që lejon ose konfirmon identifikimin unik të atij personi fizik si dhe imazhet pamore ose të dhënat daktiloskopike, psikologjike dhe të sjelljes, që i kanë të gjithë individët, por që janë të veçanta dhe të përhershme për secilin individ, nëse në veçanti mund të përdoren për identifikimin e një individi, siç janë: gjurmët e gishtërinjve, vijat papilare të gishtit, irida, retina, tiparet e fytyrës dhe ADN-ja. Kësisoj, del se LMDHP, tiparet e fytyrës i karakterizon si të dhëna biometrike dhe të njëjtat i përkasin kategorisë së veçantë të të dhënave, të cilat, për nga natyra, janë veçanërisht të ndjeshme në lidhje me të drejtat dhe liritë themelore dhe meritojnë mbrojtje specifike, pasi konteksti i përpunimit të tyre mund të krijojë rreziqe të rëndësishme për të drejtat dhe liritë themelore. Kur kemi të bëjmë me përpunimin e të dhënave personale, LMDHP në dispozitat e tij ka dhënë kuptimin se cilat veprime konsiderohen si përpunim i të dhënave personale, gjegjësisht neni 3, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2, të LMDHP-së, përcakton se me përpunim nënkuptojmë çdo veprim ose seri veprimesh që kryhen ndaj të dhënave personale me mjete automatike ose jo, si: mbledhja, regjistrimi, organizimi, strukturimi, ruajtja, përshtatja ose ndryshimi, tërheqja, konsultimi, përdorimi, publikimi nëpërmjet transmetimit, shpërndarja ose ofrimi, njësimi ose kombinimi, kufizimi, fshirja ose asgjësimi. Bazuar në këtë, mbledhja, por edhe regjistrimi i të dhënave personale hyn në kategorinë e përpunimit të të dhënave personale dhe si i tillë duhet të jetë i ligjshëm”, thuhet më tej në vendimin e AIP./Demokracia.com/

 

 

Të ngjashme