Lajme
Universitetet më të mira në botë në vitin 2024. Pesë nga 10 më të mirat janë në Europë
Demokracia
11:16 | 07 Korrik 2023

Share:

Universitetet e Europës dhe të Amerikës së Veriut dominojnë renditjen botërore të QS (QS World University Rankings) 2024, me Institutin e Teknologjisë të Massachusetts, që siguron pozicionin e parë për të 12-tin vit radhazi.

Vlerësimi vjetor, tashmë në vitin e tij të 20-të, bazohet në analizën e 17.5 milionë punimeve akademike dhe opinionet e mbi 240,000 staf akademik dhe punëdhënës nga e gjithë bota.

Europa mori 5 nga 10 pozicionet kryesore, ndërsa universitetet anglishtfolëse, dominojnë në nivelet e larta të renditjes, me rezultate perfekte në kategori të tilla si reputacioni akademik, reputacioni i punëdhënësit dhe raporti fakultet/student.

Instituti i Teknologjisë i Massachusetts (Massachusetts Institute of Technology, MIT) në Kembrixh, Shtetet e Bashkuara, siguroi vendin e parë, me një rezultat të përgjithshëm 100 pikë, për të 12-tin vit radhazi.

Universiteti i Kembrixhit në Mbretërinë e Bashkuar mori vendin e dytë, me 99.2 pikë, ndërsa rivali lokal, Universiteti i Oksfordit siguroi vendin e tretë me 98.9 pikë.

Universiteti i Harvardit, zuri vendin e katërt, me një rezultat prej 98.3 dhe Universiteti Stanford u rendit i pesti, me 98.1 pikë.

Në Europë, 10 universitetet më të mira për vitin 2024, janë Universiteti i Kembrixhit (99.2), i cili ishte i dyti në botë; Universiteti i Oksfordit (98.9), i treti në mbarë botën; Kolegji Imperial i Londrës (97.8), i cili zuri vendin e gjashtë në mbarë botën; ETH Zurich (93.9) i 7-ti dhe Kolegji Universitar i Londrës (92.4) i cili ishte i 9-ti në botë.

Në vendin e gjashtë, në kontinentin europian, është Universiteti i Edinburgut në MB (86,1), i ndjekur nga Université PSL Paris, Francë (85,8), Universiteti i Mançesterit (82,2), École Polytechnique Fédérale de Lausanne (EPFL), Zvicër ( 80.4) dhe Universitetin Teknik të Mynihut, Gjermani (80).

Rezultati i përgjithshëm i renditjes prestigjioze, arrihet duke marrë parasysh nëntë metrika vendimtare: reputacioni akademik, reputacioni i punëdhënësit, raporti fakultet-student, citimet për fakultet, raporti ndërkombëtar i fakultetit, raporti i studentëve ndërkombëtarë dhe, për herë të parë këtë vit, rrjeti ndërkombëtar i kërkimit, rezultatet e punësimit dhe qëndrueshmëria.

Treguesit e rinj, “pasqyrojnë ndryshimet në arsimin e lartë, që kanë ndodhur gjatë dy dekadave të fundit, të tilla si rëndësia në rritje e qëndrueshmërisë, mundësisë përpunësim dhe bashkëpunimeve kërkimore”, tha Quacquarelli Symonds, analisti i firmës.

Çfarë tendencash tregojnë renditjet?

Arsimi i lartë ka pësuar ndryshime të rëndësishme, gjatë dy dekadave të fundit.

“Një nga ndryshimet e para, që vumë re në dekadat e fundit, ishte ky fokus me të vërtetë në rritje, ndaj punësimit, nga studentët,” tha Dr Andrew MacFarlane, menaxher i renditjes së QS, duke shtuar se kjo i shtyu ata të merrnin parasysh rëndësinë e mundësive për punësim pas diplomimit.

“Studentët po e mbarojnë universitetin me borxhe më të larta se kurrë, në një treg global të punës vërtet konkurrues,” tha ai.

Midis vitit 2018 dhe edicionit të 2024, ka pasur një rritje të konsiderueshme në përfaqësimin e universiteteve aziatike, amerikano-latine, të Lindjes së Mesme dhe afrikane, në renditjen e universiteteve botërore. Në vitin 2018, rajonet përbënin 37 % të renditjes, në vitin 2024, shifra është rritur në 46 %.

Kina po bëhet një qendër kërkimore

Veçanërisht Kina, ka parë një rritje të dukshme në renditje, e nxitur nga përpjekjet kërkimore, vuri në dukje MacFarlane.

“Ata janë prodhuesi më i madh në botë i kërkimit, por edhe kërkime gjithnjë e më shumë të cituara,” tha ai, që do të thotë se cilësia e studimit dhe kërkimeve shkencore, që po bëhet në Kinë, i ka ngjitur ata në shkallët e renditjes.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, performues tradicionalisht të fortë, kanë përjetuar një rënie të lehtë në renditje, por rënia nuk do të thotë domosdoshmërisht se ato po përkeqësohen. Është gjithashtu një tregues, që institucionet e tjera në mbarë botën po përmirësohen dhe po e mbyllin hendekun, thotë MacFarlane.

Universitetet e BE-së vazhdojnë të shkëlqejnë në matjet e ndërkombëtarizimit

Në nivel global, universitetet europiane vazhdojnë të shkëlqejnë, në angazhimin e tyre global, gjë që është thelbësore, thotë MacFarlane, “për të thyer sfidat e botës, do t’ju duhet të punoni përtej kufijve, t’i zgjidhni sfidat së bashku dhe të jeni më transparent. Dhe është Europa, që me të vërtetë po udhëheq rrugën për këtë”.

Institucionet e njohura të BE-së, që shfaqin forcën e tyre në bashkëpunimin ndërkombëtar kërkimor, janë Université PSL Paris (Paris Sciences et Lettres University), i cili zuri vendin e tretë në ‘kategorinë e rrjetit ndërkombëtar të kërkimit’, Sorbonne (e katërta), KU Leuven dhe Universiteti i Ghentit në Belgjikë (i 6-ti dhe i 8-ti përkatësisht), dhe Université de Montpellier në Francë (i 9-ti).

“Pra, ju mund të shihni këtë dominim në rritje, në vëllimin e kërkimit në Azinë Lindore, në kërkimin bashkëpunues dhe angazhimin ndërkombëtar,” vuri në dukje McFarlane, “por, Europa po shkëlqen absolutisht.” / Euronews

Të ngjashme