Auto&Tech
Universitetet daneze vendosin ndalimin e TikTok-ut për punonjësit
Demokracia
18:36 | 14 Prill 2023

Share:

Të shtatë universitetet e Danimarkës kanë vendosur një ndalim të aplikacionit TikTok për punonjësit e tyre pasi edhe Universiteti i Danimarkës Jugore (SDU) u bashkua me universitetet e tjera në ndjekjen e këtij aksioni.

Drejtori i SDU-së, Thomas Buchvald Vind, në një deklaratë për media tha se vendimi u mor me rekomandimin e Qendrës Daneze për Sigurinë Kibernetike (CFCS). Më herët, CFCS-ja rekomandoi që punonjësit e qeverisë të mos e kenë të instaluar aplikacionin TikTok në celularët, tabletët apo në ndonjë pajisje tjetër të tyre për shkak të shqetësimeve të privatësisë.

“Në të njëjtën kohë, Rektorati ka vendosur që fakultetet dhe administratorët e tjerë të mos e përdorin TikTok-un për marketing, pasi SDU-ja po ashtu ka ndaluar mbështetjen për TikTok-un”, thuhet në njoftimin e SDU-së.

Universiteti Teknik i Danimarkës, Universiteti Roskilde, Universiteti i Kopenhagës, Universiteti IT i Kopenhagës, Shkolla e Biznesit e Kopenhagës dhe Universiteti Aarhus tashmë kanë njoftuar ndalimet e TikTok-ut.

Ndalimet e TikTok-ut në universitete erdhën pasi në fillim të muajit shkurt parlamentarëve danezë iu kërkua të fshijnë aplikacionin nga pajisjet e tyre zyrtare të punës. Nga parlamenti theksuan se thirrja bazohej në rekomandimet e CFCS-së.

“Kur CFCS-ja vlerëson se ekziston rreziku i spiunazhit me përdorimin e TikTok-ut, atëherë ne i përmbahemi kësaj. Në këtë mënyrë ne ndjekim linjën që qendra ka vendosur në lidhje me institucionet shtetërore”, tha kryeparlamenti Soren Gade.

Ndërkohë, edhe disa shtete të SHBA-së dhe Bashkimi Evropian (BE) kanë marrë masa duke ndaluar TikTok-un në telefonat zyrtar të punës.

Aplikacioni TikTok është në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, e dyshuar nga autoritetet perëndimore se ia ka kaluar të dhënat e përdoruesve qeverisë kineze. Kompania ka deklaruar se ndalimet ndaj saj bazohen në një “keqkuptim themelor të strukturës sonë të korporatës”.

Të ngjashme
Auto&Tech • 22 Prill 2024