Auto&Tech
Universal Music largon këngët e saj nga rivali i TikTok, Triller
Demokracia
12:27 | 07 Shkurt 2021

Share:

Kompania më e madhe e muzikës, Universal Music, ka hequr të gjitha këngët e saj nga aplikacioni për ndarjen e videove, Triller.

Kompania thotë se Triller “në mënyrë të turpshme u ka borxh pagesa artistëve tanë” dhe nuk pranoi të negociojë një licencë për të përdorur muzikën në mënyrë legjitime, transmeton Demokracia.com

Triller është një rival me rritje të shpejtë për TikTok dhe lejon përdoruesit e tij të krijojnë video të shkurtra, shpesh të shoqëruara me muzikë.

Ky veprim i ‘Universal’ do të thotë që artistë të njohur si Rihanna, Billie Eilish, Selena Gomez, Lady Gaga, Jay-Z dhe Bob Marley nuk do të shfaqen më në videot e Triller.

“Ne nuk do të punojmë me platforma që nuk vlerësojnë artistët,” tha Universal në një deklaratë.

“Ne nuk kemi asnjë alternativë tjetër përveç heqjes së muzikës tonë nga Triller, menjëherë.”

Kompania me bazë në LA “kategorikisht” mohoi se u ka borxh para artistëve

“Ne mund ta konfirmojmë se marrëveshja jonë me UMG ka skaduar afërsisht një javë më parë. Ne kemi negociuar që atëherë në një përpjekje për të rinovuar atë kontratë,” tha një zëdhënës.

Ata vazhduan t’i përshkruanin ato negociata si një “formalitet” dhe akuzuan Universal për përdorimin e artistëve të saj si “levë” për të nxjerrë “pagesa qesharake dhe jo të qëndrueshme për veten e tyre dhe jo për artistët”.

“Triller nuk ka nevojë për një marrëveshje me UMG për të vazhduar punën, pasiqë artistët përkatës janë tashmë aksionarë ose partnerë në Triller, dhe kështu mund të autorizojnë përdorimin e tyre drejtpërdrejt,” vazhdoi deklarata.

Ende është e paqartë se sa artistë të UMG kanë marrëveshje individuale me Triller.

Shumë nga përdoruesit e famshëm të TikTok, përfshirë Charli D’Amelio dhe Noah Beck, krijuan llogari në Triller pasi u paralajmërua se Amerika nuk do të lejojë përdorimin e TikTok-ut dhe aplikacioni për pak kohë kryesoi në top listat në App Store të Apple. /Demokracia.com

Të ngjashme