Shërbimi ushtarak i inteligjencës së Ukrainës ka njoftuar se gjatë një sulmi masiv me dronë ndaj gadishullit të aneksuar të Krimesë, është rrëzuar një aeroplan luftarak rus Su-30 mbi Detin e Zi. Sipas tyre, ky është rasti i parë i dokumentuar në histori i shkatërrimit të një aeroplani luftarak përmes një droni detar.
Sulmi ndodhi dje dhe u krye nga njësia speciale e Grupit 13 të Drejtorisë Kryesore për Çështjet e Inteligjencës (HUR) të Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës, në bashkëpunim me Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës (SBU) dhe Forcat Mbrojtëse të Ukrainës, sipas burimeve ukrainase.
Sipas njoftimit, raketa me të cilën u rrëzua aeroplani u lëshua nga platforma detare MAGURA V5.
“Aeroplani shumëfunksional rus, vlera e të cilit vlerësohet rreth 50 milionë dollarë, shpërtheu në ajër dhe më pas ra në det, në fundin e të cilit tani sundon i pamëshirshmi Neptun”, thuhet në deklaratën e shërbimit ushtarak të inteligjencës së Ukrainës.
Sipas ukrainasve, sulmi ndodhi në ujërat afër portit rus Novorosijsk, ku, sipas tyre, fshihen njësitë e mbetura të Flotës së Detit të Zi.
Kujtojmë se më 31 dhjetor 2024, forcat speciale ukrainase, duke përdorur të njëjtin dron MAGURA V5, për herë të parë arritën të shkatërrojnë me sukses një objektiv ajror – dy helikopterë rusë Mi-8 – që gjithashtu u konsiderua si rasti i parë i tillë në botë.
Humbjen e Su-30 e kanë konfirmuar edhe disa blogerë ushtarakë rusë të afërt me autoritetet dhe ushtrinë, përfshirë edhe kanalin e njohur pro-Kremlinit, Rybar. /Telegrafi/