Lajme
Ukraina thotë se ka zmbrapsur trupat ruse në Kharkiv
Demokracia
15:32 | 16 Maj 2022

Share:

Ukraina tha të hënën se forcat e saj kishin zmbrapsur trupat ruse në rajonin e Kharkivit në një kundërofensivë, duke arritur deri në kufirin rus.

Ministria ukrainase e mbrojtjes postoi një video, që tregonte sipas saj, trupat ukrainase në kufi dhe ku një ushtar i drejtohet presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky me fjalët “Ne jemi këtu”.

Këto zhvillime nuk janë konfirmuar nga burime të pavarura.

Me suksesin e kundërofensivës në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, forcat ukrainase kanë rifituar territorin në rajon dhe po përpiqen të zmbrapsin forcat ruse nga fronti i Iziumit, ndërsa Moska po përqendrohet tek rajoni lindor i Donbasit.

“Kremlini kishte ëndrra të pushtonte Kievin, Kharkivin dhe Odesën, pastaj të paktën rajonet Donetsk dhe Luhansk”, shkruante të hënën në Twitter këshilltari i presidentit Zelenskyy, Mykhailo Podolyak. “Tani, trupat ruse janë përqendruar në rajonin e Luhanskut për shkak të mungesës së forcave. Ne vazhdojmë t’i përgjigjemi megalomanisë perandorake dhe ta detyrojmë Moskën të përballet me realitetin”, thotë ai.

Presidenti Zelensky tha në një fjalim në video të dielën vonë se Ukraina po përgatitej të përballej me sulme të reja ruse në Donbas dhe Ukrainën jugore.

“Pushtuesit ende nuk duan të pranojnë se janë në një udhë pa krye dhe i ashtuquajturi ‘operacion special’ i tyre tashmë ka dështuar”, tha presidenti Zelenskyy. /VoA

Të ngjashme