Forcat ruse kanë përparuar në disa zona të rëndësishme në rajonin e Donbasit, aty ku po zhvillohet dhe lufta më e ashpër.
Të premten, Guvernatori rajonal, Serhiy Gaidai tha se trupat ukrainase do të “duhet të tërhiqen” nga qyteti i Severodonjeckut, që tashmë është kryesisht nën kontrollin e forcave ruse.
“Të qëndrosh në vende të shkatërruara për shumë muaj vetëm për hir të qëndrimit atje nuk ka kuptim,” tha guvernatori Serhiy Gaidai.
Sulmi i Rusisë ka çuar në një kundërpërgjigje të paprecedentë nga Perëndimi, me sanksione që synojnë sektorin financiar, energjetik dhe të turizmit rus, ndër të tjera.
Situata është kritike edhe në qytetin “binjak”, atë të Lysychansk. Beteja për Severodonjeck dhe për qytetin “binjak”, pikërisht përtej lumit, duket gjithnjë e më afër përfundimit të saj.
Sipas autoriteteve ukrainase, forcat ruse po përpiqen të rrethojnë trupat ukrainase në Lysychansk – i vetmi qytet, së bashku me Severodonjeck, që mbetet në duart e Ukrainës në rajon.
Në këtë zonë, trupat e Putinit kanë arritur të bëjnë përparim të ngadalshëm por të qëndrueshëm në dy javët e fundit.
“Lufta po hyn në një fazë kulmore të frikshme”, tha Oleksiy Arestovych, një nga njerëzit më të afërt të presidentit Zelensky.
Ndërsa guvernatori i rajonit, Gaidai, pranoi se rusët kanë arritur të pushtojnë fshatra të tjerë në periferi të dy qyteteve, shkruan Gazeta Si.
“Për të shmangur rrethimin përfundimtar, – tha Gaidai, – komandat tona mund të urdhërojnë trupat e tyre të tërhiqen në pozicione të reja”.
Pushtimi rus i Ukrainës, i cili nisi më 24 shkurt, po hyn në muajin e tij të katërt, me luftime të përqendruara tashmë në rajonin lindor të vendit, Donbas.
Severodonjecku është qyteti i radhës pas Mariupolit që merret me sulm të ashpër nga Rusia, teksa ukrainasve ende u mungojnë armatimet e rënda që ua ka premtuar Perëndimi për t’i bërë ballë këtij sulmi. Këtë të premte, mbërrijnë raketa-hedhësit e sofistikuar nga Shtetet e Bashkuara.