Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka raportuar shkelje të mëtejshme të armëpushimit në lindje, pas një dite zjarri me armë të rënda të shtunën.
Ministria tha se në 11 orët e para të së dielës, “20 incidente të shkeljes së armëpushimit nga forcat pushtuese ruse janë vërejtur, duke përfshirë 18 incidente kur forcat pushtuese ruse përdorën armë të ndaluara nga Marrëveshjet e Minskut”, raporton CNN, transmeton Demokracia.com.
Marrëveshja Minsk II çoi në një armëpushim të lëkundur midis ushtrisë ukrainase dhe forcave separatiste të mbështetura nga Rusia dhe ndalon armët e rënda pranë vijës së kontaktit midis dy palëve.
Ukraina tha se regjistroi gjithsej 136 shkelje të armëpushimit të shtunën.
Rojet kufitare ukrainase thanë se për shkak të bombardimeve, një pikë kalimi për organizatat ndërkombëtare humanitare, Shchastia, në Linjën e Kontaktit ishte mbyllur që nga ora 8:00 e mëngjesit të së dielës sipas kohës lokale. Një kolonë e UNHCR-së që përdori pikën e kalimit të premten tha se ishte kapur në zjarr të kryqëzuar.
Disa banorë të Donetskut, i cili kontrollohet nga separatistët pro-rusë, raportuan për bombardime të rënda herët të dielën. Një grua e kontaktuar nga CNN tha se ajo dhe fëmijët e saj donin të afroheshin më pranë qendrës së qytetit për shkak të granatimeve në lagjen e saj, Abakumova./Demokracia.com./