Lajme
Ukraina kërkon rrugë të tjera të evakuimit
Demokracia
11:51 | 07 Mars 2022

Share:

Ukraina tha se Moska po përpiqet të manipulojë bashkësinë ndërkombëtare, duke i detyruar refugjatët nga zonat e konfliktit të evakuohen vetëm në Rusi ose Bjellorusi.

Pak orë më parë, ushtria ruse urdhëroi një armëpushim, për të lejuar evakuimin e civilëve nga kryeqyteti ukrainas, Kievi, dhe qytetet tjera: Mariupol, Harkiv, dhe Sumi.

Një zëdhënës i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se qytetarët ukrainas duhet të lejohen të largohen nga shtëpitë e tyre përmes territorit ukrainas.

“Këta janë qytetarë të Ukrainës, ata duhet të kenë të drejtë të evakuohen në territorin e Ukrainës”, tha zëdhënësi.

Zëvendëskryeministrja Iryna Vereshchuk tha se Ukraina i bën thirrje Rusisë që të pajtohet për një armëpushim, nga sot, për t’i lejuar ukrainasit të evakuohen drejt qytetit perëndimor të Ukrainës, Lviv.

Rrugët e evakuimit të publikuara nga agjencia ruse e lajmeve RIA Novosti, tregojnë se civilët mund të largohen për në Rusi dhe Bjellorusi, shkruan REL.

Korridori nga Kievi çon në Bjellorusi, ndërsa nga Harkivi në Rusi.

Korridoret nga qytetet Mariupol dhe Sumi çojnë në qytetet e tjera të Ukrainës, si dhe në Rusi.

Të ngjashme