Lajme
Ukraina e quan ‘sulm terrorist’, momenti kur një burrë nxirret nga rrënojat e një ndërtese të goditur nga raketat ruse në Donetsk
Demokracia
14:36 | 11 Korrik 2022

Share:

Ekipet e shpëtimit janë ende duke kërkuar nën rrënojat e një pallati të goditur nga një raketë gjatë fundjavës në Ukrainë.

Sipas mediave të huaja, disa njerëz – përfshirë një fëmijë – dyshohet se janë bllokuar nën mbetjet e ndërtesës në Chasiv Yar (në provincën Donetsk), në Ukrainën lindore.

Një vinç u përdor për të ngritur një pllakë betoni dhe shpëtimtarët gërmuan me duar ndërsa banorët e trullosur merrnin sendet e tyre personale.

Shefi i shtabit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, Andriy Yermak pretendoi se ishte “një tjetër sulm terrorist”.

Një banore e zonës, e cila tha se ka emrin Ludmila, tha: “Ne vrapuam në bodrum, pati tre goditje, e para diku në kuzhinë”.

“E dyta, as që më kujtohet, ishte rrufe, vrapuam drejt hyrjes së dytë dhe pastaj drejt në bodrum. Aty u qëndruam gjithë natën deri në mëngjes”.

Një tjetër e mbijetuar, Venera, tha se ishte përpjekur më kot të shpëtonte dy kotelet e saj, përcjell Telegrafi.

“Në kohën kur dola nga banjo, dhoma ishte plot me rrënoja, tre kate u rrëzuan. Unë kurrë nuk i gjeta kotelet nën rrënoja”.

Të ngjashme