27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian janë të vendosura për t’ia dhënë Ukrainës statusin e kandidatit këtë javë, pas një mbledhjeje të hënën të ambasadorëve të BE-së ku askush nuk e kundërshtoi vendimin, sipas njerëzve të familjarizuar me çështjen, shkruan Bloomberg.
Komisioni Evropian rekomandoi javën e kaluar që Ukraina ta marrë statusin e kandidatit, por më pas duhet të merret me çështjet e lidhura me sundimin e ligjit, drejtësinë dhe anti-korrupsionin, përcjell Demokracia.com.
Blloku gjithashtu ka vendosur të mbështesë mendimin e komisionit për statusin e kandidatit të Moldavisë, gjithashtu edhe Gjeorgjisë, nëse së pari plotëson kushtet specifike shtesë, thanë për Bloomberg njerëz që kërkuan të mos identifikohen pasi këto janë private.
“Tani është koha që të pranojmë se e ardhmja e Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë qëndron brenda BE-së”, shkroi në një letër presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, duke ftuar liderët në samitin e kësaj jave.
“Ju ftoj të pranoni statusin e kandidaturës për Ukrainën dhe Moldavinë”, tha ai.
Komisioni ka bërë të qartë se të gjitha shtetet kandidate do të ndjekin të njëjtat kritere dhe rregulla për anëtarësim dhe se nuk ka rrugë të shpejtë ose përshpejtim e që normalisht mund të zgjasë më shumë se një dekadë.
Kroacia ishte shteti i fundit që iu bashkua bllokut në 2013-ën dhe aplikimi i saj zgjati 10 vjet.
Hungaria është në mesin e disa shteteve që kanë kërkuar që Bosnje-Hercegovinës t’i pranohet statusi i kandidaturës, kërkesë e cila është problematike. /Demokracia.com/