Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Ukraina është e gatshme të blejë sisteme të mbrojtjes ajrore si dhe armë të tjera nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vlerë nga 30 deri në 50 miliardë dollarë, duke i konsideruar ato si formë e garantimeve të sigurisë, ka raportuar “Kyiv Post”.
Gjatë prononcimit për media, Zelensky po ashtu ka theksuar se Ukraina akoma nuk i ka shfrytëzuar të gjitha ndihmat ushtarake të miratuara nga administrata e mëhershme e Bidenit.
“Çfarë ka rëndësi është sasia e parave. A është përdorur e gjitha? Jo. Ka akoma diçka që ne mund të llogarisim në të”, ka deklaruar Zelensky.
Gjithsesi, Ukraina veçse e ka bërë kërkesën ndaj SHBA-së për pako të re të armëve që synon t’i blejë.
“Ne kemi dorëzuar një paketë të madhe që duam ta blejmë tek amerikanët. Ky është formati ynë – se si do të paguajmë për të”, ka shtuar Zelensky.
Ai ka theksuar se Ukraina nuk është duke kërkuar që pakoja e re ushtarake nga SHBA-ja të jetë pa pagesë. Sipas tij, Kievi është i gatshëm të paguajë për armët, veçanërisht për sistemet e mbrojtjes ajrore dhe e sheh marrëveshjen si baza e garantimeve të sigurisë që ai i synon.
“Ne e shohim këtë si lloj të garancisë së sigurisë. Si e lidhim ne marrëveshjen me garantim të sigurisë? Shumë e thjeshtë. Na jepni pakon – ne paguajmë për të. Ne e konsiderojmë këtë pako – që përfshin edhe sisteme të mbrojtjes ajrore dhe pajisje tjera kritike që ne kemi nevojë – si garanci të sigurisë. Kjo është se si e gjitha përshtatet bashkë”, ka thënë Zelensky.
Po ashtu ai ka treguar se ka biseduar për marrjen e sistemeve të mbrojtjes me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, duke kërkuar të blejë sisteme të mbrojtjes me vlerë miliarda dollarë.
“I thashë atij në telefon, na jepni të paktën 10 miliardë. Është për mbrojtje, do të na ndihmojë neve pasi të përfundoj lufta. Është garantim i sigurisë që Ukraina është e mbuluar me mbrojtje ajrore. Janë shumë formate dhe mekanizma që ne jemi gati. Ne jemi të përgatitur të gjejmë madje edhe 30 apo 50 miliardë dollarë për paketën e duhur”, ka shtuar Zelensky.