OpEd
Ukraina, damka e legjitimimit të pushtuesit
Demokracia
16:08 | 17 Prill 2025

Share:

Nga: Gjeneral Prio Ahmetaj 

Në kapacitetin e Senior Ekspertit të Sigurisë Kombëtare, Ballkanit dhe USA/ NATO-s, si dhe për shkak të angazhimeve me Institutin e Luftës, Mçain, AC, CSCE, etj. në Uashington, Bruksel etj., e kam ndjekur me vëmendje strategjike 1150 ditë luftime të përgjakshme në fushëbetejën me/për Ukrainën. Në vijim, gjeni një përmbledhje të dinamikës deri në gjendjen aktuale, si dhe 3 opsione për ndalimin e gjakderdhjes në Ukrainë, por edhe të përfundimit të aventurës neo-naziste në Europe.

Më 24 shkurt 2022, Rusia putiniste ndërmori një sulm ushtarak të paprecedentë që nga përfundimi i Luftës së II Botërore (duke përdorur njëherësh kapacitete tokësore, ajrore dhe detare) ndaj tërësisë territoriale të një shteti sovran. Qëllimi i Putinit ishte jo vetëm të mposhte “shpejt e shpejt” ushtrinë e Ukrainës (maksimumi deri më 9 maj 2022), por edhe të poshtëronte rendin global, kufijtë e demokracisë, kohezionin, vlerat perëndimore, si dhe fuqinë ushtarake të Aleancës Euroatlantike. Falë qëndresës martire të ukrainasve, si dhe mbështetjes kritike të SHBA/NATO, pas 3 vjetësh e 2 muaj luftime të përgjakshme, asnjë nga këto objektiva strategjike nuk është arritur nga Rusia neo-Staliniste.

I. Gjendja e palëve ndërluftuese mbas 38 muaj luftimesh të përgjakshme

Territore të pushtuara nga Rusia: Me gjithë rezistencën stoike dhe disa kundërsulme të suksesshme nga Ukraina (përfshi çlirimin e territoreve të pushtuara, si Kherson etj.), krahina të rëndësishme janë pushtuar nga Rusia, si Donbasi, Luhansk, Donetsk, Krimea, Mariupol dhe Zaporizhzhia. Në total, Rusia kontrollon 15%-20% të Ukrainës. Për ta bërë më të thjeshtë për opinionin publik, ndërsa Ukraina është mbi 600 mijë km2 (3 herë më shumë se i gjithë Ballkani Perëndimor), Rusia sot zotëron rreth 3 herë sa territori i RSH.

Humbjet njerëzore: Rreth 1.5 milionë ushtarë dhe civilë janë vrarë ose plagosur nga të dyja palët. Humbjet e trupave ruse janë më të shumta (mbi 1 milion) dhe Ukraina më pak se ½ e Rusisë.

Kostoja ekonomike: Lufta ka kosto të jashtëzakonshme. Sipas disa llogaritjeve, Rusia ka shpenzuar deri në 35 miliardë euro në muaj, që në total shkojnë mbi 10 trilionë euro, ose 5-fish i GDP-së së Rusisë për 2024. Si rezultat i sanksioneve, Rusia ka pësuar humbje të mëdha edhe në burime natyrore (gaz dhe naftë) si dhe armatime ushtarake (avionëve, dronëve, tankeve, raketave). Sigurisht, edhe ekonomia e Ukrainës ka pësuar dëme të mëdha në infrastrukturë dhe vështirë për t’u rimëkëmbur në planin afatshkurtër.

Gjendja e trupave ruse në fushëbetejë: Pavarësisht mbi 1 milion të vrarë dhe moralit të rrënuar, Rusia mban ende në frontin e luftës rreth 350,000 ushtarë aktivë, shumica nga mobilizimi i detyruar ose mercenarë nga Koreja e Veriut, Mali dhe Kina; ka shumë tanke T-80 & T-90; një flotë të madhe avionësh Su-30, Su-35 dhe Su-25, raketa balistike dhe taktike S-400 dhe Iskander; sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore S-400 dhe Pantsir, por ka probleme serioze furnizimin e trupave me municion, karburant, etj., për shkak të mbrojtjes ajrore të Ukrainës si dhe pasigurisë në linjat e furnizimit.

Gjendja e ushtrisë ukrainase. Aktualisht, ka rreth 300,000 ushtarë aktivë; tanke Leopard 2 dhe Challenger 2, si edhe T-64/T-72 nga inventari saj. Avionët Su-27 dhe MiG-29; mbrojtje ajrore të fuqishme, përfshirë S-300, Patriot dhe NASAMS; sisteme të artilerisë së lëvizshme, si HIMARS, që godasin me precizion të lartë rusët në territoret e pushtuara. Ukraina ka pasur dhe vijon të ketë mbështetje konstante nga SHBA/Perëndimit (+ ½ trilion euro), armatime, teknologji moderne dhe sisteme të inteligjencës, për të parandaluar sulmet ruse dhe për të optimizuar operacionet ushtarake.

II. Plani i Paqes i Presidentit të SHBA, Donald Trump: “Ndalimi i menjëhershëm i luftimeve (gjakderdhjes), si dhe vendosja e një forme autonomie të përkohshme për disa nga rajonet e Ukrainës që janë nën kontrollin rus”! Presidenti Trump kurrsesi nuk e ka definuar statusin dhe marrëdhëniet mes humbësit dhe fitimtarit të luftës, ndërkohë që në terren Rusia ende vazhdon bombardimet e përgjakshme, duke mos kursyer as popullsinë civile, spitalet dhe shkollat në Kiev(!?).

Ky plan ka kundërshtime të forta nga BEja, pasi e gjejnë si një plan që legjitimon pushtimin e territorit të Ukrainës.

Por çfarë i bashkon dhe çfarë i ndan palët? Ajo që i bashkon është ndalimi i gjakderdhjes njerëzore. Por ndërsa Ukraina këmbëngul të rikthejë çdo pëllëmbë të pushtuar të territorit të saj (përfshirë Krimenë), Rusia kërkon të mbajë/legjitimojë territoret e pushtuara. Por cila mund të jenë tri opsionet që mund të çojnë në një zgjidhje të qëndrueshme konfliktit:

Opsioni Nr 1: Marrëveshje paqeje rreth statusquosë së territorit (Pajtimi në tavolinë): Rusia dhe Ukraina do duhet të dakordohen për të ndaluar luftimet, si dhe do të vijonin për t’u dhënë zgjidhje diplomatike territoreve të pushtuara. Në këtë opsion, pjesa më e madhe e territoreve të pushtuara mbetet me një autonomi+ ose një formë që mund të mos shkelë sovranitetin territorial të Ukrainës. Ky opsion do të shmangte vazhdimin e luftës, por mund të shkaktojë tensione të brendshme në Ukrainë, pasi ukrainasit do ta merrnin si një dorëzim në tavolinë të sovranitetit të vendit. Po ashtu, në rrafshin global, ky opsion e konsideron Rusinë si “palë fituese”, duke krijuar një “kuti pandore” të rrezikshme për pushtimet e tjera.

Opsioni Nr.2: Një marrëveshje të garantuar nga OKB dhe USA/NATO. Ky opsion mund të përfshijë një ndalim të luftimeve dhe krijimin e një zone të sigurt për një periudhë kalimtare, gjatë së cilës do të vijonin negociatat për të arritur një marrëveshje afatgjatë. Forcat paqeruajtëse ndërkombëtare mund të vendosen në territoret e pushtuara për të garantuar paqen. Ky opsion respekton disi integritetin territorial të Ukrainës. Por do duhej angazhimi fuqishëm i BE dhe SHBA/NATO-s, që mbështetur edhe nga dështimi në Afganistan, mund të mos e pranojnë kurrsesi një rol kaq të drejtpërdrejtë.

Opsioni Nr.3: Fitore e plotë ushtarake e Ukrainës ose e Rusisë, pra “kapitullim” i njërës palë. Nëse Ukraina me ndihmën e Perëndimit arrin të çlirojë të gjitha territoret e pushtuara, konfirmohet një kapitullim i Rusisë dhe një tërheqje e plotë e ushtrisë nga Ukraina. Nëse Rusia arrin të mposhtë Ukrainën dhe të marrë legjitimitet të plotë mbi territoret e pushtuara, pra edhe njohjen e tyre si pjesë e hartës së Mëmës-Rusi. Kjo edhe mund të çojë në një paqe të shkurtër, por në planin afatgjatë do të shkaktojë më shumë pasiguri dhe tensione globale. Ky opsion është më i rrezikshëm, pasi mund të sjellë një përshkallëzim të mëtejshëm të luftës, që mund të çojë në shkatërrimin fatal të Ukrainës si dhe një izolim të mëtejshëm të Rusisë nga komuniteti ndërkombëtar. Gjithsesi, çdo opsion mbart mundësi për paqe, por edhe rreziqe potenciale. Marrëveshja diplomatike sigurisht ka qenë dhe mbetet më e dëshirueshme për të shmangur humbjen e jetëve njerëzore, si dhe shkatërrimin e vendeve ndërluftuese. Prandaj, e ardhmja do të varet shumë nga vendosmëria për të arritur një zgjidhje të pranueshme dhe afatgjatë për të dyja palët si dhe nga faktorët ndërkombëtarë.

Në shtesë, për të vërtetë me opinionin publik, historia botërore e luftërave nuk e njeh këtë model paqe (të gjithë fitues, ose Win-Win), pasi gjithmonë ka pasur një palë humbëse dhe një palë fituese. Marrëveshjet e përkohshme mes palëve ndërluftuese (si pushtimi dhe autonomia+ e Krimesë në 2014) mund t’i kenë kënaqur liderët e kohës, por koha na tregoi se nuk u prodhua paqe afatgjatë, përkundrazi. Prandaj, do të lutesha të isha shumë gabim, por një Rusi, qoftë edhe pjesërisht e fituar, që do t’i zgjaste jetën sundimit stalinist të Putinit, nuk do të prodhojë paqe afatgjatë as për Ukrainën dhe Rusinë e gjakosur, por as stabilitet për vendet e gjunjëzuara nga demokracia fasadë, shtetet e dështuara dhe pushtetarët e korruptuar. Ndërsa për oshilacionet staliniste të Putinit, Lavrovit, Vuçiçit, Dodikëve etj., e përsëris edhe më fort se, nuk ka asnjë referencë krahasuese pasi: “Kosova ishte e pushtuar dhe përgjakur në shekuj nga Serbia. Lufta përfundoi me ndërhyrjen e NATO-s dhe çlirimin e Kosovës, ndërsa në 9 qershor 1999, në Kumanovë u nënshkrua marrëveshja ushtarake ndërmjet ‘palës humbëse’, ushtria e Millosheviçit si dhe një ‘palës fitimtare’ USA.

Të ngjashme