Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, për njëanshmëri dhe deformim të procesit të dialogut me Serbinë.
E për këtë, analisti politik, Fidan Ukaj, tha se kjo akuzë e Kurtit ndaj Lajçak nuk ka më ku të adresohet, pasi sipas tij, kryeministri “ka prishur raportet me ShBA-të dhe të gjithë aleatët tjerë evropianë”..
“Nëse e analizojmë planin e sekuencimit të propozuar nga Bashkimi Evropian dhe i shohim deklarimet e presidentit Vuçiq në vazhdimësi si kusht për të vazhduar implimentimin e marrëveshjeve, i bie që mund të jetë në sinkron me planin e BE-së, të propozuar nga Lajçak. Mirëpo, më shqetësuese është prishja e raporteve të Kurtit me të gjithë aleatët e Kosovës, e tashmë ky shqetësim i Kurtit, nuk ka ku të adresohet. Kjo pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tjerë evropianë, siç duket janë barrikaduar rreth facilituesit, Lajçak. Shqetësimi i Kurtit ndoshta është edhe i drejtë, po tashmë Kurti nuk ka ku të adresohet”, deklaroi Ukaj në emisionin “Ditari”.
I pyetur se a duhet të shkojë Kurti në ato tryeza diskutimi ku Lajçak është ndërmjetësues, Ukaj vlerësoi që kryeministri tanimë nuk ka zgjidhje tjetër, shkruan teve1.info.
“Në këtë rast, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk dhanë ndonjë shenjë që do ta ndërrojnë ndërmjetësuesin, përkundrazi dhanë garanci për punën e tij. Kështu që, Kurti nuk ka zgjidhje tjetër, pos të vazhdojë takimet me Lajçak e me takimet e nivelit të lartë”, theksoi tutje Ukaj në Tëvë1.
Më tej, Ukaj pretendoi se Kurti ka vetëm dy zgjidhje në këtë rast.
“Kurti i ka vetëm dy zgjidhje në këtë rast. Implementimin e kërkesave të Bashkimit Evropian, së pari implementimin e kushteve për largimin e masave për mbajtjen e procesit zgjedhor dhe pastaj largimin e 50 përqindëshit të policisë, të cilët gjenden brenda objekteve komunale dhe përreth. Ose zgjidhja tjetër, largimi apo dorëheqja e tij dhe shkuarja e vendit në zgjedhje të reja”, deklaroi Ukaj tutje.
Ndërkaq, I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka reaguar pas akuzave të bëra një ditë më parë nga kryeministri Kurti, i cili në një konferencë për mediet e akuzoi atë për njëanshmëri ndaj Serbisë.
Lajçak theksoi se si BE dhe SHBA janë në të njëjtën linjë lidhur me situatën në Ballkanin Perëndimor.
“Gjithmonë e dobishme të rikonfirmojmë se ne ndajmë të njëjtin lexim të situatës në Ballkanin Perëndimor dhe ne jemi në të njëjtën linjë në lidhje me rrugën përpara”, ka shkruar ai.