Sport
UEFA e gjobit edhe me 86 mijë e 500 euro FSHF-në për incidentet në përballjen ndaj Spanjës
Demokracia
13:29 | 27 Qershor 2024

Share:

UEFA e ka gjobitur për herë të tretë Federatën Shqiptare të Futbollit, këtë herë për incidentet e ndodhura gjatë përballjes ndaj Spanjës.

Sipas FSHF-së, ky penalizim ka ardhur si pasojë e disa tifozëve shqiptarë që kanë hedhur objekte në fushën e lojës, transmetuan mesazhe të papërshtatshme si dhe ndezën fishekzjarrë. Përpos këtyre, Shqipëria u gjobit edhe shkaku i një tifozi që hyri në fushë.

Për më shumë, këto janë gjobat që mori FSHF-ja:

“Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 8,500 euro për ndezjen e flakadanëve.

Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 25.000 euro për transmetim e mesazheve të papërshtatshme për një ngjarje sportive.

Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 45,000 euro për hedhjen e sendeve.

Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 8,000 euro për pushtimin e fushës”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Kujtojmë, FSHF-ja u gjobit me 37 mijë e 375 euro për ndeshjen ndaj Italisë, si dhe 47 mijë e 500 euro kundër Kroacisë për të njëjtat arsye.

Të ngjashme