Lajme
Udhëzimi që nuk udhëzon | Osmani shkel Kushtetutën nëse shpallë votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të veriut
Demokracia
12:50 | 06 Shtator 2023

Share:

As Kushtetuta e Kosovës dhe as Ligji për Zgjedhjet Lokale nuk ia japin Presidentit të Republikës së Kosovës kompetencën për të shpallur votimin për largimin e kryetarit të ndonjë komune nga funksioni.

Sipas Kushtetutës dhe Ligjit për Zgjedhjet Lokale, i pari i shtetit mund të shpallë vetëm datën për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës dhe datën për Zgjedhjet Lokale.

E drejta për të shpallur datën e mbajtjes së Zgjedhjeve për Kuvend i është dhënë me nenin 84 të Kushtetutës së Kosovës (Kompetencat e Presidentit), shkruan Demokracia.com.

Ndërkaq, në nenin 4 të Ligjit për Zgjedhjet Lokale i është dhënë edhe e drejta për të caktuar datën e zgjedhjeve lokale. Në të njëjtin ligj (neni 2, përkufizimet) sqarohet se “zgjedhje lokale” do të thotë zgjedhjet e Kuvendeve të Komunave dhe Kryetarëve të Komunave.

Shpallja e një procesi që nuk është i përcaktuar në kompetencat e Presidentit të Kosovës rrezikon të kthehet në një shkelje serioze të Kushtetutës së Kosovës. Një gjë e tillë është paralajmëruar edhe nga ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

“Ajo (presidentja Osmani) kish me shkelë Kushtetutën nëse do të shpallte votim. Nëqoftëse Presidentja shpallë votim për largim të kryetarëve, ajo do ta shkelte Kushtetutën e Kosovës. Askund në Kushtetutë nuk shkruan se ajo shpallë zgjedhje për largimin e kryetarëve. Ku shkruan? Në kompetencat e saj, nuk shkruan askund”, ka thënë Daka, në emisionin ”Rubikon” në Klan Kosova.

Edhe pse pritej që Udhëzimi Administrativ për largimin e kryetarëve nga funksioni i tyre të qartësonte gjithë procesin, ka ndodhur e kundërta. Dilemat dhe paqartësitë ligjore janë shtuar edhe më shumë.

Ndonëse shkarkimi i kryetarëve nga funksioni i tyre nuk është një proces i mirëfilltë zgjedhor, sepse nuk bëhet fjalë për zgjedhje, por për shkarkim, Udhëzimi Administrativ nuk e ka qartësuar çështjen kryesore pas mblidhjes së 20% të nënshkrimeve të votuesve të një komune: kush do ta shpallë votimin për shkarkimin e ndonjë kryetari?

Udhëzimi Administriativ nuk e jep këtë përgjigje, duke lënë të hapur mundësinë që kjo të shkaktojë paqartësi edhe më të mëdha mes institucioneve.

Në asnjë nga 10 nenet e këtij udhëzimi nuk përmendet ‘Presidenti i Republikës së Kosovës’ dhe roli i tij sipas Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit për Zgjedhjet Lokale në procesin zgjedhor, që përfshin shpalljen e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës dhe të Zgjedhjeve Lokale.

 

Udhëzimi Administrativ nuk parashesh momentin e shpalljes së votimit, por flet vetëm për përgatitjen e procesit të votimit.

“1. Procesi i votimit për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni zhvillohet sipas procedurave dhe rregullave për zgjedhjet të përcaktuara me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Ligjin për Zgjedhjet Lokale”, thuhet në dispozitat përfundimtare, në nenin 7. /Demokracia.com/

Të ngjashme