Lajme
Uashingtoni nuk i beson Vuçiqit, dëshiron konfirmim që ka 4 mijë ushtarë më pak afër kufirit me Kosovën
Demokracia
10:44 | 03 Tetor 2023

Share:

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, në një intervistë për CNN, ka thënë se para ka ditësh afër kufirit me Kosovën kanë qenë rreth 8 mijë ushtarë ndërsa tani janë rreth 4 mijë e 500.

Sido që të jetë, edhe pse i kanë parë raportimet për këtë, amerikanët duan të binden. Matthew Miller nga Departamenti amerikan i shtetit ka deklaruar se SHBA ende s’i ka vërtetuar në mënyrë të pavarur dhe do të kërkojë konfirmim të mëtejshëm.

“Kemi parë raportet se Serbia ka tërhequr personelin dhe pajisjet ushtarake larg kufirit. Ne ende nuk i kemi vërtetuar ato në mënyrë të pavarur dhe do të kërkojmë konfirmim të mëtejshëm. Por, nëse është e vërtetë, ky do të ishte një hap i mirëpritur, diçka që ne kërkuam të ndodhte javën e kaluar. Ne vazhdojmë të jemi të shqetësuar për ciklin e rritjes së tensioneve dhe dhunës sporadike në veri të Kosovës dhe inkurajojmë të dyja palët që të kthehen në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, ka thënë Matthew Miller në një konferencë me gazetarë të hënën.

Sipas Vuçiqit, vitin e kaluar në kufi me Kosovën ishin rreth 14 mijë pjesëtarë të ushtrisë ndërsa pas incidentit në Banjskë ishin rreth 8 mijë.

Pas thirrjeve nga SHBA-të për uljen e numrit të ushtarëve, Vuçiq tha se numri ka rënë në rreth katër mijë e 500./GazetaExpress/

Të ngjashme