Lajme
U tha edhe kjo prej dikujt të VV-së: Ndërkombëtarët i kanë nxitur trazirat në Veri
Demokracia
19:04 | 22 Maj 2025

Share:

Zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, e ka akuzuar palën ndërkombëtare se ka nxitur trazirat në veri në disa situata.

Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Vokrri ka thënë se një ndër diplomatët ndërkombëtarë është edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav.

“Pala ndërkombëtare, unë kam qenë vetë dëshmitar në disa situata që i ka nxitur vetë trazirat. Nuk po them patjetër të përmasave shumë të mëdha, por me deklarimet e tyre, me takimet e tyre kanë inkurajuar eksponentë të lidhur me Listën Serbe që të bëjnë trazira. Janë diplomatë ndërkombëtarë, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, e kam përmendur edhe z.Orav, shefi i misionit të BE-së në Kosovë, si njëri nga nxitësit e një prej trazirave. Ka qenë pas atij incidenti, ku u grumbulluan një pjesë e aktivistëve politikë të veriut që njihe për sponsorizim nga shteti serb dhe e bënë një tollovi aty, pasi që përfundoi e tëra, e pashe në rrjete sociale se të njëjtit pak orë para se ta bënin këtë tollovi kanë qenë në takim me të, kjo është vetëm një prej shembujve”, ka thënë ai.

Vokrri ka shtuar se nëse është serioze për shtensionim të situatës në Kosovë, bashkësia ndërkombëtare do të duhej të ndërtonte raporte më të afërta dhe partneritet me qytetarët serbë që janë të interesuar të jetojnë jetë normale në Kosovë.

Sa i përket shqetësimeve të shprehura nga bashkësia ndërkombëtare për aksionet e fundit të institucioneve të Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele në veri, ai ka thënë se këto shqetësime do të duhej të përcilleshin me ndonjë arsyetim apo argumentim.

“Lidhur me shqetësimet eventuale të bashkësisë ndërkombëtare, mendoj se do të duhej të përcilleshin me ndonjë arsyetim apo argumentim, pra përderisa nuk ka as rezistencë nga qytetarët serbë, përkundrazi ka pasur përshëndetje dhe më pas aplikim dhe kërkim për të marrë shërbime nga këto institucione”, është shprehur ai.

Të ngjashme