Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka reaguar pasi mediat gjatë së mërkurës raportuan se vëllai i tij ka qenë i përfshirë në fajde.
Sallahu përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se ai nuk jeton me vëllain dhe nuk ka jetuar asnjëherë me të, përcjell Demokracia.com.
“Edhe sipas parimeve ligjore, kushtetuese e ndërkombëtare, unë jam përgjegjës vetëm për veprimet e mia personale dhe përgjegjësia është tërësisht individuale dhe vetëm individuale!”, ka shkruar tutje ai.
Postimi i plotë:
Deklarim me shkas ndaj lajmeve të porositura që u publikuan në media gjatë ditës:
Lidhur me procesin gjyqësor ndaj vëllaut tim, e ndiej për obligim të sqaroj se:
– Rasti i përfolur është i vitit 2012;
– As atëherë e as sot unë nuk jetoj e nuk kam jetuar me vëllaun;
– Në periudhën në fjalë, madje nuk kam qenë fare as në Kosovë, me ç’rast kam qenë për studime jashtë vendit;
– Edhe sipas parimeve ligjore, kushtetuese e ndërkombëtare, unë jam përgjegjës vetëm për veprimet e mia personale dhe përgjegjësia është tërësisht individuale dhe vetëm individuale!
Për fund, si zv.ministër në Ministrinë e Drejtësisë, unë punoj me përkushtim të plotë për ta përmirësuar sistemin e drejtësisë i cili duhet të veprojë ndaj çdo personi pa dallim, në mënyrë të pavarur dhe vetëm mbi bazën e provave, fakteve relevante dhe ligjeve në fuqi!
Nga ky mision, nuk mund të më ndalin as ata që përmes shantazheve e fabrikimeve tentojnë të na lëkundin nga lufta për ta bërë shoqërinë tonë të lirë nga krimi e korrupsioni!
Shantazhet që duan t’i manifestojnë edhe si kërcënime, në fakt vetëm më motivojnë për ta shtuar angazhimin edhe më shumë për ta çkapur sistemin prokurorial e gjyqësor, në mënyrë që të mos ketë hapësirë për pronarët e portaleve të caktuara që në fakt janë pseudogazetarë e funksionojnë si sekserë të “pastrojnë figura”, siç po mësojmë nga përgjimet që janë motori i sulmeve të orkestruara ndaj meje!./Demokracia.com/
https://www.facebook.com/blerim.sallahu/posts/10222376777781391