Lajme
U përdor fotografia e tij në videon e Vetëvendosjes, vjen reagimi i Rrahman Jasharajt
Demokracia
14:03 | 11 Janar 2023

Share:

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ka goditur ish-qeveritë e kaluara e individë të caktuar me një video të radhës.

Në një video të publikuar të martën, janë përmendur skandale të ndryshme të së kaluarës, si terminalet doganore, vjedhja e dy milionë eurove nga Thesari i Kosovës, vjedhja e drogës nga terminalet doganore, dhe shitja e tokave me 1 euro për ari, e të tjera zhvillime që janë renditur brenda kësaj videoje.

Në mesin e tyre, ishte edhe kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Duke e ilustruar fotografinë e Jasharajt menjë tekst kur flitet për sindikatat shantazhuese, në video thuhet se ka mbaruar koha kur të tilla shantazhe vinin për Qeverinë.

Vendosjen e fotografisë së tij në video, Jasharaj e konsideron si imazh që përfaqëson sindikatat.

“Ata kanë të bëjnë me sindikatat por si emër pak më i njohur po them në publik si sindikalist jam unë dhe e kanë marrë fotografinë time, por po them që mundet me i pasë pak hatër mbetjet dhe inatet edhe në deklarimet e mia gjatë grevës, edhe në angazhimet e mija, dhe e kanë bërë si simbolik mbase figurën time. Kur del në një pamje figura ime konsiderohet se ka të bëjë me sindikatat”, u shpreh ai për Front Online.

Megjithatë, Jasharaj nuk i përjashton as inatet që mundet t’i ketë partia në pushtet.

Kjo, sipas tij për shkak të angazhimeve që i ka bërë vazhdimisht si kryesindikalist.

“Mbase në grevë se isha kryetar i Këshillit të Grevistëve, isha vazhdimisht edhe në media mundohesha të kisha takime, dhe e kam ngritur zërin aq sa kam ditur dhe kam mundur pasi e kam pasur detyrë dhe mbase është një hatërmbetje e tyre pse i kam bërë gjithë ato angazhime, nuk e kam bërë kundër dikujt por e kam bërë me qëllimin më të mirë”, tha ai.

Pas kësaj videoja ka pasur reagime të shumta.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, duke i konsideruar Vetëvendosjen dhe kryeministri Albin Kurti në gjendje të mjerueshme.

Ndërsa, ish kryeministri Avdullah Hoti tha ajo video e publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje është fashizëm politik.

Të ngjashme