Lajme
U pa edhe kjo| Kurti pajtohet dhe e përshëndetë marrëveshjen që kompania e Serbisë të operojë në veri
Demokracia
17:08 | 21 Qershor 2022

Share:

Dokumenti u nënshkrua. Kosova do t’i japë kompanisë së shtetit serb leje për të operuar në veri të vendit. “Elektroserver” kërkonte licencimin që nga viti 2020.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë do t’i japë leje kompanisë serbe, “Drustvo Elektrosever D.O.O.” në mënyrë që ajo të operojë në veri të vendit si “Elektrosever”.

Sipas udhërrëfyesit për të cilin Kosova dhe Serbia u dakorduan të martën në Bruksel, kjo kompani parashihet ta nënshkruajë një marrëveshje tregtare me KEDS-in, përmes së cilës do t’i mundësohet t’i kryejë shërbimet e distribuimit (faturimin, inkasimin, mirëmbajtjen dhe kyçjen e konsumatorëve të rinj) në katër komunat me shumicë serbe në veri. Kjo, parashihet të ndodhë 10 ditë pas licencimit.

“Drustvo Elektrosever D.O.O.” është përgatitur për këtë që nga dhjetori i vitit 2020. Atëherë, kjo kompani kishte aplikuar për leje në ZRRE.

Kjo kompani është e regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë që në nëntor të vitit 2018. Pronare e saj rezulton të jetë shteti serb.

Sipas të dhënave në ARBK, kompania publike serbe për prodhimin, furnizimin dhe tregtimin e energjisë elektrike – “JP Elektroprivreda Srbije Beograd”, posedon 100% të aksioneve të “Drustvo Elektrosever D.O.O.”

Boban Novakoviq është i regjistruar si drejtor i kësaj kompanie, që si aktivitet primar e ka tregtinë e energjisë elektrike.

Ashtu siç paralajmëroi para një jave zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, edhe marrëveshja parasheh se nuk do të ketë licencim të asnjë kompanie tjetër përveç të “Drustvo Elektrosever D.O.O.”.

Kryenegociatori i Kosovës në dialog, Besnik Bislimi dhe ai serb, Petar Petkoviq njoftuan ndryshe nga njëri-tjetri për arritjen e dakordimit për zbatimin e marrëveshjes për energjinë.

Siç tha Bislimi para një jave, dakordimi i sotëm nuk e ndryshoi asnjë presje nga marrëveshjet e dakorduara në Bruksel në vitet 2013 dhe 2015, kohë kur në krye të shtetit ishin njëherë Hashim Thaçi, e më pas Isa Mustafa.

“Çdo dakordim eventual ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbi çështjen e energjisë, nuk do ndryshojë as edhe njё presje pёrtej asaj qё tashmë është dakorduar nё Bruksel nё vitet 2013 dhe 2015. Nё emёr tё Kosovёs, negocion vetёm Qeveria e Republikёs sё Kosovёs. Takimi mes KEDS dhe palёs serbe, i organizuar nё Stamboll me 9 qershor, ka patur vetёm objektivin e ofrimit tё garancive pёr katёr shёrbimet e dakorduara nё vitin 2015, vendosja e matёsve tё energjisё, mirёmbajtja e matёsve, faturimi dhe inkasimi dhe kёtё obligim e ka pёrmbushur”, kishte shkruar Bislimi të hënën e javës së kaluar.

Mustafa për marrëveshjen e energjisë: Tash u ka mbetur ta gjuajnë vetën me molotov

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka komentuar marrëveshjet e Qeverisë Kurti si atë për tabelat si dhe marrëveshjen që sot u arritë për energjinë.

Mustafa në një deklaratë për lajmi.net ka thënë se krerët shtetërorë nuk po shpërndajnë përmbajtje të marrëveshjeve, ndërsa ka pasur edhe një porosi për ta.

“Përveç se VV po i negocon marrëveshjet që i kemi arritu më parë, si atë për tabelat dhe këtë për energjinë, s’mund ta komentoj këtë të fundit, sepse ata nuk po e tregojnë përmbajtjen e saj. Tani u mbetet ta gjuajnë veten me gurë, gaz e molotov…!”, ka deklaruar ish-kreu i Qeverisë Mustafa.

Kosova dhe Serbia kanë arritur ta nënshkruajë Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Kështu ka njoftuar gjatë ditës emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me anë të një postimi në ‘Twitter’.

Të ngjashme